Mbresa nga Tirana
Shkruan: Femi HALIMI
(2L ONLINE) – Më erdhi ndër mend të përshkruaj një udhëtim që e vlen të përmendet. Ka diçka në përgjithësinë e jetës që bëhet shkas për kujtesë dhe ndërgjegje njeriu nga sprovat. Po kur këto sprovat ndodhin për mirë dhe kur befasojnë këndshëm, është mirë të përmenden për hir dinjiteti.
Me zotëri Isuf Bajramin ishim dy ditë në Tiranë. Shkas kryesor ishte furnizimi me libra, mirëpo sjellja e jashtëzakonshme e miqve të vjetër dhe bashkëkombësve tanë në Tiranë u bë shkas i këtij shkrimi.
Nga shtëpia e z. Isufit ku bujta, dualëm herët para mëngjesit, për tek Stacioni i Autobusëve të Qytetit. Autobusi i “Përparimit” erdhi me kohë të saktë në ora pesë rrafsh dhe u nisëm. Për pesë orë arritëm në Tiranë, ku u ndalëm anash Sheshit Qendror “Skënderbeu”- mbrapa Muzeut Kombëtar.
Me z. Isufin pasi pijtëm kafetë për shlodhje nga rrugëtimi i gjatë dhe pasi pushuam paksa, shkuam tek një zonjë që ishte bija e Ramazanit – një nga anëtarët e Grupit Gueril në Tiranë “Debatikut”. Ajo pasi na qerasi në banesë me çaj e alkool vendor, na dërgoi me taksi tek banesa e z. Nexhmie Hoxhës tek Shqiponja, në dalje të Tiranës nga veriu, andaj nga erdhëm.
Zonja Nexhmie Hoxha na priti në banesë me shumë ngrohtësi dhe mirësjellje. Mosha e thellë e pleqërisë e kishte lodhur shumë, por ajo mbahej fort. Para pak kohe shkroi dhe botoi një libër për Kosovën dhe për këtë edhe shkuam tek ajo. Pasi kaluam do kohë me bisedë duke përshkuar shumë e shumë tema , unë ia pagova librat – pesëdhjetë sosh dhe dualëm me marrëveshje që librat ti merrnim të nesërmen kur të niseshim për Gjilan.
Zonja Nexhmie kishte një vëlla me emrin Femi, sikur unë dhe për këtë disa herë e përmendi këtë. Biseduam për shpërndarjen e mëtutjeshme të librit përderisa u ndamë atë ditë. Pastaj e bija e Ramazanit, u nda nga ne se duhej të shkonte në punë. E veçanta nga gjithë kjo përmendje ishte sjellja e bijës së Ramazanit, se ajo pagoi taksin me lekë dhe nuk pranoi eurot që ne i ofruam. Unë i thashë se herën tjetër atë ditë apo të nesërmen kur të takoheshim do ti paguaja dhjetë euro, mirëpo ajo më nuk duel me neve, se ishte e zënë shumë me punë, por mbase edhe pse nuk deshi kompensimin, por edhe pritja e ngrohtë familjare e z. Nexhmie që interesohej si ta ndihmonte me ndonjë mënyrë në Tiranë!?
Para kësaj, kur ishim në banesë tek bija e Ramazanit, të cilin z. Isufi e kishte njohur ato kohët e hershme, sepse kishte qenë kohë të gjatë në Tiranë e gjetiu Shqipërisë, ajo ndihmoi z. Isufin të thërriste me celular shoqin e vjetër të z. Isufit, -Demirin, sepse ne nuk mund të përdornim celularët në Tiranë. Ishte një z. Demiri me të cilin z. Isufi kishte banuar në Tiranë para mbi njëzet e pesë vjetëve. Ai u lajmërua dhe kështu pas orës dymbëdhjetë kishte kërkuar të takoheshim andej nga Banka Blu këndej përballë Shqiponjës.
Bija e Ramazanit shkoi dhe ne mbetëm të prisnim para bankës. Nuk vonoi e erdhi z. Demiri, me veturë të shtrenjtë. Ishte një biznesmen i suksesshëm tani por që për shoqin kishte lënë punën dhe doli në takim. Na mur z. Demiri me veturë pa treguar se ku po shkonim, e duke biseduar me z. Isufin pandërprerë dhe me mallëngjim. Bëri një orë kah u soll rrugëve të stërngarkuara të Tiranës, se a mund të gjente një vend për parkim, por kot. Pastaj përfunduam në skaj të qytetit kah mali Dajt në juglindje.
Z. Demiri garazhoi veturën në nëndhesen e një Restauranti të madh “FRESKUT”, mandej na priu brenda në sallë për të na dhënë një drekë të shtrenjtë me pije e me shërbim të jashtëzakonshëm, e me bisedë në vazhdim pandërprerë. Më erdhi interesant mënyra e pagesës që ishte e veçantë! Kamerieri solli një lloj portofoli – libër të zi dhe e la në tryezë. Z. Demiri e mur, e vuri paksa përfundi tryezës anash, futi në të paratë, që sa pashë ishin njëqind euro dhe e ktheu portofolin libër në tryezë. Kamerieri erdhi dhe e mori këtë, shkoi dhe u kthye me të sërish dhe e la sërish në tryezë, që ishte mbase pagesa me paratë shtesë nga çmimi i shërbimit!
Kështu z. Demiri harxhoi për ne mbi pesëdhjetë euro për një drekë me pije, pastaj na ktheu në qytet në Qendër dhe me këtë u ndamë me porosi që të shiheshim sërish.
Edhe këtë e pashë të patjetërsueshme ta përmendi, sepse ishte befasia e tretë e madhe për të mirë. Të kujtoj se rasti i parë ishte bija e Ramazanit për shërbimin, mundin dhe pagesën e taksit për ne, që ishte pagesë e madhe dhe se rasti i dytë ishte pritja e jashtëzakonshme e zonjës Nexhmie në banesë të vet.
Pasi u ndamë nga z. Demiri, shëtitëm gjatë Tiranës dhe z. Isufi më tregoi shumë e shumë rrugë me shenja kujtese historike e me rëndësi për kombin si dhe njësoj shtëpitë e objektet e kohës së shkuar të pushtetit dhe të tjera me rëndësi. Më tregoi për Ndërtesën e ish Komitetit Qendror, Piramidën e Pallatin e Kongreseve, shtëpinë e Enver Hoxhës atë kohë, rrugët kryesore, Sheshin dhe pikat me rëndësi në Tiranë. Në mes të kohës së re dhe gjallërimit qëndronin të nemitura e në heshtje vetmie objektet e vjetra të pushtetit të mëparmë, me roje dikund, mu sikur një bërthamë e kalbur po së cilës i mbin sythi i gjatë i bimës së re të gjallë të jetës në vazhdim.
Pranoj se në këto vjetët e mija nuk kisha hyrë kurrë në Tiranë dhe për këtë edhe kisha një inat kundër vetes gjithmonë. Kështu shëtitja e gjatë rrugëve të Tiranës mu bë kënaqësi kryesore e vikendit dyditësh dhe një pushim i madh i shumëfishtë.
Para muzgut shkuam tek shtëpia e atdhetarit Shaban Brahës. Në shtëpi kishte qenë i biri Besniku që na priti ngrohtë vëllazërisht dhe na kaloi përballë rrugës në një kafiteri me kafe e pije tjera dhe me bisedë për kohë të gjatë. Prej aty me veturë na ktheu në qytet, e mandej nga Qendra na dërgoi tek restaurant “Juvenilia – 2”, një rstaurant luksoz dhe me shërbim shumë profesional. Aty hëngrëm mandej darkën dhe ndejtëm kohë të gjatë. Besniku desh të ktheheshim sërish në shtëpi tek ai, por ne nuk deshëm ta ngushtojmë. Ai pas kësaj na gjeti një hotel modest Hotel “Dibra” dhe si na goditi bujtjen u nda nga ne me bërje me dije se të nesërmen në ora tetë do të vinte aty prapa hotelit për kafen e mëngjesit. Ishte kjo befasia e radhës dhe mbresa e këndshme e sjelljes.
Në hotel “Dibra” bujtëm, me ngrohje e me shërbime tjera dhe fjetëm e pushuam mirë pas lodhjes së madhe për tërë ditën.
Të nesërmen kur zbritëm poshtë hotelit në recepcion, pronari na njoftoi se një zotëri po na priste përballë në kafiterinë për kafen e mëngjesit. Shkuam dhe pamë se ishte vërtetë Besniku! Me të vazhduam me kafe e llafe kohë të gjatë. Ai u nda nga ne me kërkesë që të shiheshim prapë kah mesdita, por edhe me të nuk u pamë sepse celularët nuk mund i përdornim dhe megjithë bërjen me dije se do të dilte vetë ai tek busti i Hasan Prishtinës në trotuar përballë një kafiterie, as me të nuk mund u pamë.
Ne vazhduam me kaftiallin në një byrektore dhe duke bërë plan për kohën e mëtutjeshme si ta shfrytëzonim racionalisht sepse duhej të ktheheshim me autobusin e “Përparimit” nga ora pesë e tridhjetë minuta. Kështu pas kaftiallit shkuam tek një shitëse e librave në skaj të Sheshit bri Muzeut Kombëtar me atë pikturën e madhe historike. Aty takuam zonjën Nazmie, e njohur për ne, pasi se vjen rregullisht në Panair të Librit në tetor në Gjilan tek ne.
Tek zonja Nazmie gjeta libra mjaft që më duheshin, tituj e tituj të rëndësishëm dhe që kërkohen shumë. Mandej shkuam me z. Isufin në anën tjetër të Sheshit në një rrugë që ishte e tregut të tekstileve e artizanaleve dhe ku gjetëm një valixhe të madhe me rrotë e dorëz për ngarkesë të librave dhe si e blemë valixhen, u kthyem tel shitorja e z. Nazmie dhe i ngarkuam librat të tërat në valixhe. Valixhen mandej e mbylla dhe e sigurova dhe e lamë tek z. Nazmie deri në kohën kur duhej të dilnim tek vendi ku ndalej autobusi për Gjilan.
Z. Nazmie më dha numrin e celularit dhe më mësoi që për pak libra mos të mundohem deri në Tiranë por me celular ti dërgoja sms për titujt e kërkuar. Ajo titujt e kërkuar do të mi dërgonte në Gjilan me autobus të “Përparimit” dhe unë do ti jepja paratë shoferit të autobusit i cili herën tjetër kur të kthehej në Tiranë do ti dërgonte ato tek z. Nazmie. Kështu edhe kjo ishte një befasi e madhe për mirë dhe shumë e këndshme!
Si u ndamë nga z. Nazmie, vazhduam Sheshit andej e këndej, duke hyrë nëpër shitore, librari e kënde rrugëve ku shiteshin librat në shumë vende. Mbresa më la Libraria e Madhe në anën e djathtë të ndërtesës ku ishte Pallati i Operës, ku kishte libra të jashtëzakonshëm si për nga cilësia e rëndësia, ashtu edhe për nga përgatitja. Kishte në shqip, por dhe në shumë gjuhë të botës. Ishte një shitore libri e jashtëzakonshme!
Pas do kohe dikund pas “Piramidës” gjetëm një gjellëtore kosovarqe, ku kishte pasur gjellëra sikur tek ne!…Pas dreke pimë kafetë e radhës, vizituam edhe një herë anëve të ndryshëm shitësit e shumtë të librave, blejtëm edhe diçka çka hasnim të jashtëzakonshme dhe pastaj u kthyem sërish tek Pallati i Operës, në teracën e rregulluar me shërbim të pijeve për vizitorët e shumtë. Këtu pritëm derisa erdhi koha që ngadalë të dilnim tek vendi ku ndalej autobusi për Gjilan.
Shkuam tek z. Nazmie, u përshëndetëm, mora valixhen dhe u nisëm drejt vendit të pritjes së autobusit. Në kohë të përpiktë erdhi autobusi i “Përparimit” dhe në 17 : 30 minuta u nisëm për Gjilan.
Së fundit, në doganë, nga ana jonë, patëm një shqetësim derikund, pasi se policia e doganës më thërritën të hapja valixhen. Unë dola, shkova dhe hapa valixhen dhe u tregova gjerë e gjatë librat përbrenda. Polici njëherë shprehu pakënaqësi pse nuk i kisha lajmëruar librat dhe pse nuk kisha faturë dhe firmë të regjistruar posaçërisht për librat, mirëpo dikur i erdhi keq dhe më liroi por me vërejtje që herë tjetër mos të përsërisja këtë pakujdesi! Iu falënderuam shumë policit doganier dhe u kthyem në autobus. Në Vërmicë u ndalëm në pushim njëzet minuta ku hëngrëm nga një picë dhe pushuam mirë. Tutje deri në Gjilan kishim edhe një orë e gjysmë që e kaluam shpejt e lehtë se autobusi kishte qenë shumë i mirë, por i tillë edhe shoferi!…
-II-
Gjithë këtë shkrim e bëra me shkas të thellë e për shkak të të cilit mendova se e vlen të shkruhet e mbahet mend. Ishte shkaku i pritjes së jashtëzakonshme që na bënë njerëzit tanë bashkëkombës andej, në Tiranë. Ishte pritje dhe sjellje e jashtëzakonshme, e çiltër dhe njerëzore. Ishte sjellje tipike shqiptare e traditës, që këndej nga ne thuajse u harrua krejt pas luftës së fundit.
Doket e zakonet janë ligje të jetës dhe normave të një bashkësie a kombi njerëzish. Kodi i Dokeve përcakton vlerat dhe këto vlera janë çmimi i jetës së njerëzve në bashkësi. Kjo tek ne u shthur me të madhe dhe kjo donë një studim shkaqesh dhe një kërkesë për përpjekje për ti kthyer a mbjellur nga fillimi.
Në mes të Tiranës hasëm sjelljet njerëzore e kombëtare të njerëzve tanë shqiptarë, çfarë ne i kishim në majat e maleve e bjeshkëve! Për çudi, të paprekur thuajse, të fuqishëm, të ruajtur, ishin ligjet e vjetra, të njerëzisë, të mikpritjes, të fytyrës, të mëshirës, të vlerave e moralit, dhe përsipri të gjithave, të flisë dhe sakrificës për rastin kur duhet o kur ka nevojë të bëhet kjo. Kështu në mes të Tiranës na “koritën” me sjellje mbinjerëzore, me mund e përpjekje për të na ndihmuar gjithë kohën dhe për harxhimet që bënin për ne, pa lejim kthese a pagese!…
Për këtë është mirë të përmendet dhe të thuhet, si kur ndokush bën të mirën, si kur ndokush bën të keqën. Duhet të përmendet e mira dhe të ruhet, të çmohet e me qëllim që të kthehet, sepse është kulturë dhe njerëzi. Sepse në këtë kohë, dhe me gjithë krajatat e jetës deri tani dhe të kësaj tani, njerëzit atje në Tiranë kishin ruajtur fuqishëm e me çdo kusht njerëzinë dhe veçoritë e kombit.
Pa le këta e ata politikanët e vip-at liderë e maqo të polibiznesit e biznes –patriotizmit, këndej e andej, që na shpërfytyruan kombin para botës e që na bënë dëmet gjithë këto. Me rëndësi e për shpresë dhe gëzim është se kishte ende fuqishëm shumë veçori kombi andej dhe mu në kryeqendër, e që është e mira e të gjitha të mirave! /2L ONLINE/
