DYLON

Mbrëmje përshëndetëse me profesorin Ekrem Kryeziu

Mbrëmje përshëndetëse me profesorin Ekrem Kryeziu
Avatar photo Redaksia

Mësimdhënës të Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, këtë të premte janë përshëndetur nga kolegu i tyre, Ekrem Kryeziu, profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, i cili pas një pune të palodhshme me dekada të tëra, me meritë është pensionuar.

Ishte vetë nisma e kolegut Ekrem Kryeziu, i cili kishte ftuar të gjithë mësimdhënësit e gjimnazit dhe stafin drejtues të shkollës që bashkërisht të mbahet një mbrëmje përshëndetëse, e cila është organizuar në Restorantin “Baresha”, ku të pranishëm ishin pothuajse të gjithë mësimdhënësit dhe drejtoria e shkollës, sikurse edhe disa profesorë që viteve të fundit ishin pensionuar.

EkoHigjiena

Fillimisht, Bekim Mustafa, drejtor i Gjimnazit Natyror “Xahvit Ahmeti” në Gjilan, në emër të strukturave drejtuese të shkollës dhe të kolegëve e ka falënderuar profesorin Ekrem Kryeziu për punën dhe përkushtimin me nxënës, për kolegialitetin dhe miqësinë me të gjithë, duke thënë se profesori Ekrem ishte i dashur dhe i respektuar nga të gjithë, se profesori Ekrem do të mbete pjesë e jona, pjesë e gjimnazit.

“Je shembull i mirë për të gjithë ne dhe të tillë do të mbajë në kujtesë gjimnazi i ynë. Të faleminderit për të gjitha profesor Ekrem dhe të priftë e mbara dhe shëndeti, qofsh i lumtur e i gëzuar me të gjithë njerëzit, miqtë e familjen”, ka thënë Bekim Mustafa, drejtor në Gjimnazin  Natyror “Xhavit Ahmeti”.

Ekrem Kryeziu, mësimdhënës i derisotshëm në Gjimnazin Natyror, ka falënderuar të gjithë kolegët për pjesëmarrjen në datëlindjen e tij të 65-të, që përkon edhe me pensionimin e tij, duke theksuar se për të është privilegj që fillimisht ka punuar në Gjimnazin “Zenel Hajdini” e më pas edhe në atë “Xhavit Ahmeti”

“Të punosh në gjimnaz nuk është vetëm privilegj e kënaqësi, por është edhe krenari”, ka thënë profesori Ekrem Kryeziu, që ka përmendur studiuesin e letërsisë Robert Elsie, që ka shkruar veprën “Fundi i një fillimi”, duke thënë se edhe ai tashti e ka fundin e karrierës së tij dhe ka shtuar se nëse e pyet dikush se a po mërzitet që po shkon , do t’i përgjigjej se natyrisht se i mungojnë këta njerëz, do t’i mungojnë zërat e cicërimat e atyre fëmijëve me të cilët është plakur dhe e ka kaluar një jetë të tërë dhe se do t’i zhurmisin si cicërimet e bilbilave në vesh. “Që po mërzitem, nuk po mërzitem aspak, madje jam shumë i lumtur që në këtë moshë kam arritur”, tha profesor Ekremi, andaj ai i ka uruar të gjithë kolegët që t’a mbërrijnë pensionimin, ngase edhe kjo ditë e ka shijen e vet dhe është fat që t’i mbushësh 65 vite me nxënës të mirë.

Ai në veçanti ka përshëndetur aktivin e gjuhës shqipe, që gjithmonë ishin kolegialë e posaçërisht kolegun e tij më të afërt, profesor Sami Durmishin, i cili gjithmonë iu gjet pranë.

Në këtë mbrëmje të veçantë, drejtori i shkollës Bekim Mustafa, zëvendësdrejtori Agim Asllani, profesoresha Hyrmyze Shkodra, Sami Durmishi, nga aktivi i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe dhe profesori në pension Safet Rexhepi, i kanë dhuruar profesorit Ekrem Kryeziu disa dhurata që t’i mbetën në kujtesë për vite të tëra. Ky aheng përshëndetës ka zgjatur deri në orët e vona, me urimin për jetë të gjatë, shëndet të plotë e jetë të lumtur për profesorin Ekrem, pranë më të dashurve të tij. /2LONLINE/