Është mbajtur sot takimi i parë i grupit punues për vlerësimin e performancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve në kuadër të Reformës në Drejtësi, në të cilin takim përveç anëtarëve të grupit punues, morën pjesë edhe përfaqësues nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), Ministria e Drejtësisë (MD) si dhe përfaqësues ndërkombëtarë.
Në këtë takim, u diskutuan aktivitetet e grupit punues, duke përfshirë: faza e mbledhjes së raporteve dhe analizimin e tyre, struktura dhe metodologjia e raportit gjithëpërfshirës të vlerësimit, koordinimi i mbështetjes nga partnerët zhvillimorë, afatet në Planin e Punës si dhe mbështetja përmes ekspertëve.
Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, tha se grupi punues do të adresojë këto çështje në mënyrën më të mirë të mundshme me qëllim që puna e këtij grupi të jetë një udhërrëfyes praktik edhe për grupet tjera. Po ashtu, Zogaj bëri thirrje për vazhdimin e bashkëpunimit me qëllim që grupi punues të jap kontribut në përmbylljen e suksesshme të planit të miratuar.
Anëtarët e grupit punues, shprehën gatishmërinë e plotë për angazhim të vazhdueshëm gjatë këtij procesi me mbështetjen e partnerëve zhvillimorë, në kuadër të përmirësimit të efikasitetit, transparencës dhe disiplinës në sistemin gjyqësor dhe prokurorial. /2LONLINE/