Mbledhjen Komemorative mbahet sot për t’i dhënë lamtumirën e fundit, veprimtarit të çështjes kombëtare, Shefket Muslija
“Sot, në ora 16.00 në Teatrin e Qytetit në Gjilan, në Mbledhjen Komemorative, i japim lamtumirën e fundit, veprimtarit e patriotit të hershëm të çështjes kombëtare, mërgimtarit e aktivistit të devotshëm, Shefket Muslija”, ka theksuar Ahmet isufi, ish komandant i UÇK-së, i Zonës Operative të Karadakut.
Isufi u shpreh se baca Shefket, ishte atdhetari i ndershëm e besnik me bashkatdhetarët, por në veçanti bashkëveprimtar i afërt i Heroit të Kombit, Kadri Zeka. Edhe pas rënies së Kadriut me vëllezërit Gërvalla, Baca Shefket, kurrë nuk e ndali angazhimin për lirinë e popullit shqiptar.
Isufi tha Shefket Muslija ishte në ballë të demonstratave, shpërndante material propagandistik për ngritjen e vetëdijes kombëtare, por edhe pasi erdhi liria, kurrë nuk u nda nga shokët e idealit.
“Do ta kujtojmë përherë si njeriun e vërtetë, të dashur e të sinqertë, të heshtur për punën e vet e plot fjalë e tregime meritore për bashkëveprimtarët e luftëtarët. Baca Shefket u prehtë në paqe, në atdheun që e deshi e për të cilin bëri shumë. I përjetshëm kujtimi për te”, ka thënë Ahmet Isufi. /2LONLINE/
