DYLON

Mbjellin fidane të reja në serrë dhe në bahçen e institucionit

Mbjellin fidane të reja në serrë dhe në bahçen e institucionit
Avatar photo Redaksia

Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton se në kuadër të aktiviteteve edukativo-rehabilituese dhe angazhimit praktik të të miturve, në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan është realizuar aktiviteti i mbjelljes së fidaneve të reja në serrë dhe në bahçen e institucionit, si dhe mirëmbajtja e kopshtit institucional.

Gjatë këtij aktiviteti, të miturit kanë marrë pjesë aktive në përgatitjen e tokës, mbjelljen dhe kujdesin për kultura të ndryshme bujqësore, me qëllim të zhvillimit të shkathtësive praktike, ngritjes së përgjegjësisë dhe kultivimit të frymës së punës dhe bashkëpunimit.

EkoHigjiena

Në kuadër të mbjelljeve janë kultivuar kultura të ndryshme, si: speca, domate, pjepër, qepë dhe tranguj. Produktet e kultivuara do të përdoren për nevojat e institucionit.

Po ashtu, është realizuar edhe mirëmbajtja e hapësirave të gjelbëruara dhe e kopshtit të institucionit, duke kontribuar në ruajtjen dhe përmirësimin e ambientit institucional.

Përmes këtyre aktiviteteve synohet fuqizimi i aftësive praktike të të miturve, socializimi i tyre, si dhe përgatitja për riintegrim të suksesshëm në shoqëri, thuhet në njoftimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.  /2LONLINE/