Mbi gëmat e jetës po valëvitet dhembje e kërrusur pritjesh
/Një proverb gjerman thotë: ”Lufta e madhe e le shtetin me tri armata: një armatë të gjymtuarish, një armatë vajtuesish dhe një armatë hajdutësh!” /
Shkruan: Afërdita Morina -Biffar
/2L ONLINE/ – Dramës së listave të veteranëve të luftës nuk po i shihet fundi. Akuza e kundër akuza. Komandantë që fusin në lista njerëz që nuk e kishin moshën madhore në ’99-tën, familjarë e akraballëk të të fortëve e madje edhe të atillë që as këndej pari s’kanë qenë kur ndodhi lufta e Kosovës ?! Të tjerë komandantë që ankohen e vajtojnë mospërfshirjen e ushtarëve të tyre në lista ! Ec e bjeri në fije.. “ Vetëm në Zonën e Llapit 100 persona “pa të drejtë” u futën në lista, e pastaj 100 persona “pa të drejtë” u hoqën nga lista…”, kështu tha njëri nga udhëheqësit e veteranëve të UCK-së ! Askush nuk jep përgjegjësi – pse u futën e pse u hoqën ?! Si në Kosovë ma ! M’rruajte, t’rruajta..brisku I berberit !!!
Drama do të vazhdojë gjatë me gjasë… Gjykata Speciale, na duhet apo s’na duhet ?! Do të votohet apo s’do votohet… mbetet të shihet ?! Ata që thonë se do ta votojnë, presin drejtësi prej saj, të tjerët thonë se s’vjen gjë e mirë nga kjo Gjykatë, veç njollosje e luftës së UCK-së. Pra, lufta e popullit të Kosovës për Liri e Pavarësi, po na u njolloska po që se dalin para drejtësisë disa individë që edhe mund të kenë kryer krime gjatë luftës dhe menjëherë pas saj, sepse nuk i dihet, luftë i thonë e në luftë përzihet le.. dhe vështirë të mbahen të gjitha nën kontroll.
Një proverb gjerman thotë: ”Lufta e madhe e le shtetin me tri armata – një armatë të gjymtuarish, një armatë vajtuesish dhe një armatë hajdutësh!”. Armata e emigrantëve që ikën, ngadalë po kthehen. Thanë se po e lënë vendin, tokën , arën e varret e të parëve për një jetë më të mirë. Nuk e di për këta pak muaj e javë sa ndejtën nëpër vende të ndryshme të Evropës, a jetuan apo jo më mirë se këtu, por, për një gjë jam e sigurt : Kanë parë se ka vende ku jetohet më mirë, ama edhe punohet më shumë !
Sigurisht e kanë parë se ka vende ku toka e vendi duhen, ara punohet e varret e të parëve mirëmbahen aq sa ngjajnë në parqe e kopshte me lule… E ne, duket sikur vendin e duam veç në këngë folklorike, tokën e pështyjmë ngado që ecim nga mëngjesi në mbrëmje, arat i lëmë djerrina..e varret ?! Ah, varret e varrezat… sa pak respekt kemi për to!
Thjerrave e shkurreve mbi varre ua fusim zjarrin çdo pranverë..kështu ne i “mirëmbajmë” ato ?! Në vetëm pak ditë, vrasje të tmerrshme ndodhën në vendin tonë të vogël. Pas mesnate e në pikë të mëngjesit. Në vend pune apo duke shkuar në punë. Vritet polici para dere e roja në vendin e punës. Me para e për para. Vrasës të porositur e të paguar. Hajna- vrasës, na tronditen keq . Sa kushton jeta jonë e fëmijëve tanë ? Sa të pasigurt ndjehemi, sepse të pasigurt jemi. Sa vend i vogël, sa shumë hajna e vrasës paskemi pasur ! E organet përgjegjëse veprojnë ngadalë sepse, njerëzit shohin e s’flasin. Mendojnë se nuk duhet bashkëpunuar me policinë, sepse bëhesh spiun, apo edhe kanë frikë. Të dyja bashkë e bëjnë punën më të vështirë dhe inkurajon hajnat dhe kriminelët.
Çdo kund në botën demokratike, populli ndihmon policinë e hetuesinë për të zbuluar krime e vrasje, sepse kështu kontribuohet për sigurinë e përgjithshme. Ne, jo fatkeqësisht ! Më kujtohet që dikur ne e donim fort vendin tonë. Më shumë se të mirat private materiale. Dikur mbronim njëri -tjetrin, fqinjët, njerëzit përreth nesh, nga hajnat dhe kriminelët. Dikur mbronim dhe ndihmonim të varfrit. Dikur nuk vuanim kaq shumë për të dalë në pah e për t’u bërë të rëndësishëm, por disi ishim në garë për të bërë vepra të mira që të fitohej emër i mirë në shoqëri ..emër me të cilin do të krenoheshin pasardhësit.
Çfarë po ndodhë sot me ne ?! Ku po shkojmë si shoqëri dhe ku do te arrijmë ?! Të jetosh në demokraci nuk nënkupton : “që mund të bësh ç’farë të duash !” . Liria ka çmim. Të jetosh i lirë në një sistem demokratikë është sfidë më e madhe se sa kjo, sepse nënkupton të ndjehesh përgjegjës dhe i përgjegjshëm 24 orë të çdo dite të jetës tënde !
O njerëz të mirë të vendit tim,është koha të zgjohemi nga amullia që na ka kapluar, përndryshe edhe ëndrrat edhe shpresat na braktisën pamëshirshëm.
Thuhet se „shpresa vdes e fundit“ por, ka kohë që shoqërisë tonë mbi gëmat e jetës po i valëvitet dhembja e kërrusur pritjesh…pritjesh… /2L ONLINE/
