DYLON

Mbi 2 mijë gjoba brenda javës në rajonin e Gjilanit, Policia apelon për kujdes të shtuar në trafik

Mbi 2 mijë gjoba brenda javës në rajonin e Gjilanit, Policia apelon për kujdes të shtuar në trafik
Avatar photo Redaksia

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka bërë të ditur se gjatë javës së kaluar janë intensifikuar aktivitetet për rritjen e sigurisë në trafikun rrugor, duke rezultuar me shqiptimin e 2.012 gjobave për kundërvajtje të ndryshme në komunikacion.

Sipas të dhënave të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, gjatë periudhës 10–16 korrik 2026, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe stacionet policore kanë zbatuar planet operative të sigurisë në trafik, ndërsa përveç gjobave janë trajtuar edhe 40 aksidente trafiku, prej tyre 22 me dëme materiale dhe 18 me persona të lënduar.

EkoHigjiena

Në kuadër të kontrolleve të realizuara, policia ka shqiptuar gjithashtu 31 gjoba për mosvendosje të rripit të sigurisë, ka shqiptuar 32 masa ndalimi të drejtimit të mjeteve motorike ndaj ngasësve që kanë kryer shkelje të rënda dhe ka konfiskuar përkohësisht 11 motoçikleta.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të tregojnë përgjegjësi më të madhe gjatë vozitjes.

“Uleni shpejtësinë. Shpejtësia nuk është krenari, por shkak i tragjedisë. Respektoni rregullat e trafikut, mos përdorni telefonin gjatë vozitjes, vendosni rripin e sigurimit, tregoni kujdes ndaj këmbësorëve dhe respektoni sinjalistikën rrugore dhe semaforët. Siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët”, thuhet në apelin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan.

Policia ka bërë të ditur se kontrollet dhe aktivitetet parandaluese do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me synim rritjen e sigurisë në rrugë dhe parandalimin e aksidenteve.  /2LONLINE/