(2LONLINE) – Lëvizja FOL ka prezantuar sot një analizë të shkurtër mbi efektin e mos-funksionimit të OSHP-së në Prokurim Publik gjatë periudhës Gusht-Nëntor 2013.
Kenan Tora nga Lëvizja FOL sqaroi se “ Lëvizja FOL tash e tri vite me radhë në periudha të rregullta tre mujore ka publikuar raportin “Monitoruesi i Prokurimit”. Në këtë raport është analizuar implementimi i Ligjit për Prokurim Publik nga ana e Autoriteteve Kontraktuese gjegjësisht Institucioneve Publike të Republikës së Kosovës përmes analizimit të vendimeve të marra nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, institucion i cili në bazë të Ligjit për Prokurim Publik ka kompetencat dhe përgjegjësit për shqyrtimin dhe vendosjen e lëndëve të ankesave për sa i përket procedurave të prokurimit publik. Mirëpo, që nga data 01 Gusht 2013 një problem substancial që e ka preokupuar dhe dëmtuar sektorin e Prokurimit Publik si një tërësi ka qenë mos-funksionimi i OSHP-së, kjo për arsye se 4 nga 5 anëtarët e bordit të OSHP-së ju ka përfunduar mandati. Lëvizja FOL përmes një reagimi në media me datë 12 Shtator 2013 ka tërhequr vëmendjen dhe ka shprehur shqetësimin e saj për gjendjen e krijuar. Në këtë analizë të shkurtë Lëvizja FOL analizon efektet e situatës së krijuar kur OSHP është jo-funksionale, situatë kjo e cila po vazhdon edhe më tutje”.
Sipas të dhënave zyrtare që Lëvizja FOL i ka siguruar për qëllim të hartimit të kësaj analize nga Sekretariati i OSHP-së 2 anëtarëve të bordit mandati ju ka përfunduar me datë 01 Gusht 2012, kurse Kryetarit të OSHP-së dhe një anëtari të bordit mandati ju ka përfunduar me datë 01 Gusht 2013, dhe prej kësaj date OSHP ka funksionuar vetëm me një anëtarë të bordit, rrjedhimisht duke mos qenë në gjendje të ushtrojë të gjitha kompetencat dhe ti kryejë të gjitha përgjegjësit që i ka me Ligj. Përveç kësaj fatkeqësisht i vetmi anëtarë i bordit të OSHP-së me mandat z. Osman Kryeziu me datë 21 Nëntor 2013 ka ndërruar jetë dhe OSHP tani gjendet në situatë ku nuk ka asnjë anëtarë bordi me mandat.
Në bazë të Ligjit për Prokurim Publik, bordi i OSHP-së përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët propozohen nga Qeveria e Kosovës dhe emërohen nga Kuvendi i Kosovës për një mandat 5 vjeçar. Kuvendi i Kosovës themelon një organ përzgjedhës, të pavarur, i përbërë nga tre gjykatës të emëruar sipas rregullit të caktuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Kuvendi pranon rekomandimet e këtij organi për anëtarët e rinj të OSHP dhe pastaj votohen.
Qeveria e Kosovës i ka neglizhuar afatet ligjore dhe ka propozuar me vonesë emrat e rinj për anëtarë të bordit të OSHP-së, të cilët janë dërguar për emërim në Kuvendin e Kosovës. Mirëpo fillimisht pushimet verore, më pas fushata elektorale për zgjedhjet lokale dhe mospajtimet në mes të partive politike për çështje të caktuara kanë bllokuar mbajtjen e seancave të rregullta të Kuvendit të Kosovës dhe rrjedhimisht çështja e emërimit të anëtarëve të rinj të bordit të OSHP-së ka mbetur ende pezull.
Lëvizja FOL me qëllim që të pasqyrojë në numra situatën e krijuar ka kërkuar nga sekretariati i OSHP-së të dhëna lidhur me numrin e lëndëve që kanë mbet të bllokuara si rezultat i mos-funksionimit të OSHP-së, vlerën monetare të këtyre lëndëve si dhe cilave Autoritete Kontraktuese gjegjësisht institucioneve ju përkasin lëndët në fjalë.
Në bazë të dhënave zyrtare që Lëvizja FOL i ka siguruar nga Sekretariati i OSHP-së nga data 01 Gusht 2013 kur bordit të OSHP-së i ka skaduar mandati deri me datë 19 Nëntor 2013, në OSHP kanë mbetur të pashqyrtuara gjithsej 160 ankesa të parashtruara nga Operatorët e ndryshëm Ekonomik. Vlera monetare e tenderëve për të cilët është deponuar ankesë dhe janë në pritje të shqyrtimit nga ana e OSHP-së e kap përafërsisht vlerën 52,292,393.59 €, dhe këta tender janë shpallë nga 61 Autoritete Kontraktuese të ndryshme. Rrjedhimisht këta tenderë si pasojë e mos-funksionimit të OSHP-së mbesin të bllokuar dhe nuk mund të procedohen.
Në këtë periudhë kur OSHP ka qenë jo-funksionale, zhvillimi i procedurave të prokurimit dhe nënshkrimi i kontratave nga ana e disa institucioneve ka vazhduar, pavarësisht se operatorët ekonomik nuk mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre ligjore për tu ankuar për çështje të caktuara. Kjo situatë e krijuar mund të ketë për pasojë dëmtimin e rëndë të parasë publike dhe konkurrencës së drejtë mes operatorëve ekonomik. Përveç kësaj, efektet e kësaj gjendjeje do të jenë prezente edhe pas emërimit të bordit të ri të OSHP-së për shkak të numrit të madh të lëndëve që janë grumbulluar, e ndër to ka edhe lëndë që ju ka skaduar afati ligjor i shqyrtimit.
Duke pas parasysh se të gjitha raportet e organizatave kredibile ndërkombëtare dhe lokale flasin për një nivel të lartë të korrupsionit në Kosovë dhe faktin që pjesa më e madhe e parasë publike harxhohet përmes procedurave të prokurimit publik, Lëvizja FOL vlerëson se situata e krijuar kur OSHP është jo-funksionale mund të ndikojë në rritjen e mundësive për korrupsion dhe keqpërdorime në prokurim publik.
Lëvizja FOL duke u bazuar në situatën e krijuar dhe efektet që mund të ketë kjo situatë edhe pas emërimit të bordit të ri, ashtu siç ka kërkuar edhe deklaratën e datës 12 Shtator 2013 kërkon që procedurat e emërimit të anëtarëve të rinj të bordit të OSHP-së të kryhen sa më shpejtë që të jetë e mundur nga ana e Kuvendit të Kosovës dhe OSHP-ja të bëhet funksionale për të kryer detyrën që i përcaktohet me Ligj./2lonline/