/2L ONLINE/ – Përfaqësues të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan thanë se gjilanasit përkrahën me të madhe peticionin kundër “Zajednicës” dhe kundër demarkacionit me Malin e Zi. Deputeti i vetëvendosjes Ismajl Kurteshi, ka thënë se qytetarët e Komunës së Gjilanit, të vetëdijshëm për dëmet që ia sjellë Kosovës, Anamoravës dhe Gjilanit “Zajednica” , i janë përgjigjur masivisht peticionit.
“Përkundër përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës që nënshkrimin e marrëveshjeve të 25 gushtit në Bruksel dhe atë të 26 gushtit të nënshkruar në Vjen për demarkacionin t’i prezantojnë si të dobishme për vendin, si ndërkombëtare dhe si të parevokueshme; analistët e pavarur, gazetarët, dhe ekspertët e kanë zbuluar të vërtetën”, tha Kurteshi.
Ai më tej shtoi se me marrëveshjen e Demarkacionit Kosova i humbë rreth 10.000 hektar tokë, kurse me marrëveshjen për “Zajednicën” legalizohet ndërhyrja e Serbisë në Kosovë legalizohet.
“Kryeministri Mustafa dhe zëvendësi i tij Thaçi së fundi e kanë pranuar se marrëveshja nuk na është dashur. Ata madje janë shprehur të gatshëm ta tërheqin marrëveshjen nëse Gjykata Kushtetuese e pranon se marrëveshja e nënshkruar e shkelë Kushtetutën. Siç dihet Serbia marrëveshjet me Kosovën nuk i konsideron ndërkombëtare sepse Kosovën e konsideron pjesë të veten, prandaj këto marrëveshje nuk janë ndërkombëtare. Edhe po të ishte marrëveshje ndërkombëtare, Kosova mund të tërhiqet, sepse këtë ja lejon neni 18 i Kushtetutës së Kosovës dhe Konventa e Vjenës, seksioni 2, neni 47, 49, 50, 51, 53 që bëjnë fjalë për gabimin, mashtrimin, korrupsioni, detyrimin dhe traktatet që bien ndesh me një normë të pakundërshtueshme të së drejtës ndërkombëtare”, tha Kurteshi, përderisa fliste për dëmet e shumta që ia sjellë Kosovës “Zajednica”, karakterin e për karakterin e saj racist.
Aktivisti Yll Islami falënderoi qytetarët e Komunës së Gjilanit për gatishmërinë e treguar për ta nënshkruar peticionin duke i kundërshtuar edhe në këtë formë marrëveshjet e 25 gushtit dhe marrëveshjen për Demarkacion me Malin e Zi.
“Fakti këto marrëveshje e defunksionalizojnë shtetin e Kosovës, bëri që qytetarët e Gjilanit të nënshkruajnë masivisht këtë peticion”, tha Yll Islami, duke bërë të ditur se mbi 16 mijë gjilanas e kanë nënshkruar peticionin. /2L ONLINE/