Mbi 100 shtete Kosovën e njohin shtet, ne e kemi kontestuar përmes nënshtrimit

Mbi 100 shtete Kosovën e njohin shtet, ne e kemi kontestuar përmes nënshtrimit

Imagjinoni në çfarë derexhe e kanë sjellë Kosovën qeveritë nga pas lufta e deri në pavarësi, e nga pavarësia deri në 2017-në. Njëzetë vjet nga çlirimi, dhe njëmbëdhjetë vjet nga shpallja e Kosovës shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, i njohur nga më shumë se njëqind shtete, shpërfaqet nevoja me analizua mirë se cila parti politike është e vendosur me e ruajt këtë kafshore shtet, me ruajt diçka për të cilën të ka njohtë bota.

Shkruan: Ardian Azemi

Kanë hy në dialog me Serbinë pa asnjë kusht të vetëm. Kanë nënshkruar dokumente nga dialogu pa llogaritë fare pasojat, madje pa përfitua asnjë gjë të dobishme për Kosovën. Dialogo pa krye, ec Serbia përpara, nënshtrohu vazhdimisht, faktorizohue Serbia. Politikë pa fije morali e dashnie për popullin e shtetin. Luftë e pistë për pushtet, madje duke shkelë mbi vlerat e krijuara me shumë mund e sakrificë.

Krejt dështimet, të këqijat, nënshtrimet, dështimet e një qeverisje shtatëmbëdhjetë vjeçare, bëjnë përpjekje me ia atribue qeverisë Haradinaj, një qeverie ndaj të cilës nuk janë ndal sulmet prej ditës së parë, pareshtur, pa asnjë arsyeje, me plot inate e me urrejtje patologjike. Në Kosovë, fatkeqësisht, suksesi i tjetrit, edhe nëse e rrezaton Kosovën, është trishtim, është bllokadë, është zbehje e kauzave të tjerëve. Veç neve na ndodh që të irritohemi me punët e mira që tjetri i bënë.

Nëse nuk ndjen keqardhje, të paktën marre duhet me të ardhur, por nëse as marre nuk ke, atëherë të lejohet të thuash e bësh bash çka të duash. Në gjendje normale e me njerëz normal, nuk kish ndodh që parti të caktuara me dalë tani e me thanë se ne jemi shpresë për popullin e shtetin, kemi me luftue korrupsionin e nepotizmin. Tamam të krijohet përshtypja që kanë ardhur nga Japonia dhe po duan me e kthjellë Kosovën.

Po kush dreq e instaloj këtë gjendje breee..? Kush e sjelli Kosovën në këtë gjendje, me ia gërditë rinisë vendin e vet..? Dyqind mijë qytetarë e kanë lëshue Kosovën para 2017-së. A për shkak se e kanë ditë që Ramush Haradinaj vjen në pushtet a..? Mosni bre. Populli nuk ua ka borxh të bëni hajgare me të.

Po bahen dy vjet që kurrë sulmet ndaj PSD-së nuk i kanë ndal. Ju kanë thanë se i kanë vjedh mandatet, ju kanë thanë se kanë shkue në prehrin e kriminelëve. Po tani, çka me ju thënë këtyre që nga parti tjera po aderojnë në VV? Këta legjitim apo? Me votë të popullit, a?

Nuk ka zyrtarë shtetëror që VV nuk i ka dhënë epitete; tradhtarë, kriminel, argat të dreqit e të birit, madje akuza shumë të rënda, ndërsa sot i përgjërohet, i drejtohen me thirrje akademike. Tani po flasim për parime? Për çfarë parime flisni, ku janë ato parime?

Kush çka ka bë e dimë të gjithë. Jemi ardhur në një situatë kur Kosovës më shumë se kurrë i duhet uniteti, kultura e komunikimit, sjellja normale në fushatë, bashkëpunimi përnjëmend për tema të mëdha. Janë pallavra ato kur flitet për zhvillim ekonomik, për integrim etj.

Puna e vetme është qysh me e mbrojt Kosovën tani nga copëtimi, nga ndikimi rus, nga prekja e kufijve. Taksa, asociacioni, anëtarësimi i Kosovës në mekanizma ndërkombëtar, janë tema të lehta, madje shumë më të lehta sesa ajo e demarkacionit të kufirit me Serbinë. Keni parasysh, temat që e presin Kosovën, nuk i japin komoditetin secilit që ka qef me u bë kryeministër. Përnime është sport i rënd!

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE