DYLON

Mbi 1 mijë e 300 gjoba trafiku brenda një jave, 28 aksidente të hetuara

Mbi 1 mijë e 300 gjoba trafiku brenda një jave, 28 aksidente të hetuara
Avatar photo Redaksia

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka njoftuar se gjatë periudhës 5–11 qershor 2026 janë shqiptuar 1 mijë e 315 gjoba në trafik, në kuadër të planeve operative për rritjen e sigurisë rrugore.

Gjatë kësaj periudhe janë hetuar gjithsej 28 aksidente trafiku, prej të cilave 16 me dëme materiale dhe 12 me persona të lënduar.

EkoHigjiena

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe stacionet policore, gjatë periudhës 05.06.2026–11.06.2026, në vazhdën e implementimit të planeve operative për siguri në trafik, kanë shqiptuar 1.315 gjoba”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Gjatë aktiviteteve të realizuara në trafik janë shqiptuar edhe 21 gjoba për mospërdorim të rripit të sigurisë, 31 gjoba për përdorim të telefonit gjatë vozitjes dhe 60 gjoba ndaj ngasësve të motoçikletave. Po ashtu, masa e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike është shqiptuar ndaj 33 ngasësve.

“Me qëllim të parandalimit të aksidenteve në trafik, apelojmë tek të gjithë ngasësit që të respektojnë dispozitat ligjore në trafik, të ulin shpejtësinë, të mos përdorin telefonin gjatë vozitjes, të vendosin rripin e sigurimit dhe të kenë kujdes ndaj këmbësorëve”, thuhet më tej në apelin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan.

Policia ka rikujtuar se respektimi i sinjalistikës rrugore dhe semaforëve mbetet i domosdoshëm për sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në trafik, duke theksuar se ulja e numrit të aksidenteve dhe ruajtja e jetës janë përgjegjësi e përbashkët. /2LONLINE/