DYLON

Mbetjet mortore që dorëzohen sot, viktima të Drenasit dhe Skenderajt

Avatar photo Redaksia

Ndryshe nga hera e parë, 24 mbetjet mortore që sot në orën 13 i dorëzohen EULEX-it në pikën kufitare të Merdares po bëhen në marrëveshje në mes palës kosovare dhe asaj serbe. Eshtrat që po kthehen sot në Kosovë janë të viktimave shqiptare nga komunat Drenas dhe Skenderaj, ndërsa pas procedurave në mjekësinë ligjore, nga dita e hënë ato do iu dorëzohen familjeve.

Prenk Gjetaj, i ka thënë Indeksonline përmes telefonit se “tani çdo gjë po bëhet me marrëveshje pasi dorëzimi i këtyre mbetjeve mortore është dakorduar paraprakisht. Ajo që ka ndodhur herën e parë ka qenë një moment tjetër”.

EkoHigjiena

Më 22 gusht, pala kosovare e kishte akuzuar palën serbe se kishte dërguar mbetjet e para mortore nga varreza e Rudnicës në Rashkë të Serbisë para afatit që e kishte kërkuar Prishtina pasi sipas Gjetajt, familjet nuk kanë qenë të informuara me kohë. Kërkimet në Rudnicë të Rashkës filluan më 11 dhjetor të vitit 2013, nga zyrtarët serbë së bashku ekspertët e Departamentit të Mjekësisë Ligjore të EULEX-it, ekspertët kosovarë të mjekësisë ligjore, ndërsa mbetjet e para mortore janë gjetur pas dy ditësh.

Analizat e ADN-së kanë zbuluar se mbetjet e gjetura në këtë varrezë masive iu takojnë viktimave shqiptare nga lufta e Kosovës, raporton Radio Evropa e Lirë. Prokuroria për krime lufte në Serbi në maj të vitit 2010 ka thënë se varreza potenciale masive në Rudnicë mund të përmbajë mbetjet mortore të 250 shqiptarëve të vrarë në periudhën nga viti 1998 deri më 1999.