(Dhe Përshëndetje pos festum për të gjithë veteranët e arsimit!)
Shkruan: Shefik SHKODRA
/2L ONLINE/ – I nderuar mik! Mos ma merr për të madhe vonesën time. Po thuaj shumë kemi filluar të dalim si instinktivisht, e s’e kam nga mendjemadhësia, por gjendja reale e pakëndshme, e pa dinjitet shpesh të bën “horë”. Dhe pastaj vështirë është të frenosh ndjenjat. Nuk kam për qëllim ta ngarkoj personelin e një administrate të vogël komunale në Drejtorinë e Arsimit. Sepse, ata janë një trupë e punëve shërbyese. E ata sikur i marrin të gjitha organizimet nga klishet e mëparme. Qe katërdhjetë, pesëdhjetë vite kemi qenë të ngarkuar me punën që nuk na ka lënë kohë ta ngrehim kokën lartë e të shohim njëri-tjetrin. Qe kaq kohë e tëhu, nuk na binte në mend edhe vdekja e ndonjë njeriu të afërt ngase, duhej të vraponim pas orarit që na prisnin rinia. Dhe nuk banim dertin se, a na i paguan orët tona pas kësaj pune. Sidomos, pas njëqind viteve, në këtë kohën tonë, kur shkollën shqipe e anatemuan armiqtë tanë, brez pas brezi, ne nuk u zmbrapsëm as nuk e mendonim vdekjen tonë të çdoditshme nëpër rreziqe…
Pak në retrospektivë
Shkolla te ne, në Kosovë, u grabit. U mor me shpejtësi pas LDB-re. Është shkruar disa herë, kjo çështje ishte e ngutshme që të arrinim fqinjët tanë përreth. Por, vuajtja e atyre mësuesve të parë është kujtim i pashlyer. Ata që mësuan brezin tim (para nesh), ishin plot vullnet të bënin punë. Nuk kishin kurrfarë kushtesh, sidomos ata nëpër fshatra të malësisë. Banorët e këtyre anëve u bën konak, e i ushqyen me atë që kishin me fëmijët e tyre. Por, nga këta dolën kuadro të profileve të ndryshme, që t’i shërbejnë këtij vendi. Që ta ngjallin për jetë këtë popull. Dhe kujtimet e këtyre veteranëve ishin për një histori të veçantë. Nuk kaloi as ky brezi jonë më mirë. Sidomos, koha pas ngjarjeve të vitit 1981, këtë s’mund ta mohoj askush, veç ata ‘hajlazat’ që e mohojnë vlerën edhe të prindërve të tyre. Ne nuk kemi llogaritur benificionine as paga të mëdha. Por, kur e pamë se, dikush i fërfëlloi në gurmazin e vet, me siguri që reagimi ishte i domosdoshëm. Por as reagimi i jonë s’qe serioz deri në fund. Edhe ky segment i shoqërisë shumë me rëndësi u manipulua e u diskriminua.
Gabuam kolegë!
Tash e hedhin bishtin përpjetë kanunxhinjtë me pak vlerë personale. E pëlqeva një mendim të njërit prej atyre që shkruanin dhe thoshin se, ‘nuk po të dashka askush po qe se nuk je në politikë’, kështu disi, ndoshta s’e thash krejt mirë. Po, e rëndësishmja është se e kuptova çka deshi të thotë. Dhe njësoj kam menduar, se, pas luftës së fundit të Kosovës thash, nuk e kam ndërmend të mendoj më ç’është politika dhe nuk do të merrem me të, sepse nuk më intereson. Kam me çka të merrem, madje ka kush të merret edhe me politikë. Fatkeqësisht, unë dhe kolegët e mi “naivë”, dhe të gjithë ata të këtij mendimi, kemi gabuar keq! Kemi bërë lëshimin më të madh në jetë. Nuk është dashur që t’ua lëmë në dorë politikën e çdo gjëje injorantëve, kopukëve, dilingjive, kontrabandistëve e nepotistëve (për arsim dhe kulturë), spicëtarëve të interesit personal, servilëve të rryer (që janë të mësuar të lëpijnë këpucë padronësh), rrugaçëve të deridjeshëm, hajdutëve të pulave dikur, etj. dhe të gjithë atyre që nuk kanë ndjenja për këtë popull e këtë vend e për këtë segment të jetës shoqërore shumë të çmueshëm. Dhe s’më ka shkuar mendje se do të bëhet kjo nëpërkëmbje. Prandaj, në një mënyrë, nuk kemi të drejtë ankese. E, kemi mbetur të flasë (gati mos ta qelë gojën fare) e të shkruaj kush si të dojë. Me kompetencë e pa kompetencë. Kemi ngelë pa integritet personal dhe duhet të bindemi se jemi të ndëshkuar. Sidomos kjo klasë e mësimdhënësve parauniversitar, e veçmas pensionistët e kësaj shtrese. Kemi dashur të bëjmë urime e përshëndetje edhe në këtë vit që e kemi arritur me moshë e me punë…por, këtë nuk e kanë bërë strukturat politike të qeverisjes arsimore. Drejtoria e Arsimit të Komunës nuk ka mundësi të shpërblej Mësuesit as me një fletë të materializuar, por shpërndan “mirënjohje” si afishe parullash. Ndoshta, kaq ka mundësi. Me kaq do të thoshin: ‘U krye puna!’
Përshkrim vetëmeveti
Shumëkush mendon se, ne mësimdhënësit nuk dimë të përshëndetemi. Jemi të ndrojtur, apo jemi të paaftë në oratori. Nuk i njohim gjërat elementare të kësaj bote. Dhe, ‘Lerë more, ky s’di më shumë se të shkoj në klasë dhe të tregoj ato “përrallat” e çdoditshme fëmijëve’! Vërtet, kështu mund të thuhet prej ndonjë injoranti, por nuk ka arsye. Dëshmia e parë është se, nuk ka mundur të bëhet as doktor, as profesor, as inxhinier, as ekonomist, as artist, as letrar madje as ky farë politikani si ndonjë alien, po të mos ishte mësuesi…! Ai mësuesi që tashmë i kanë “rënë rreket për toke”. Është sfilitur. Nuk ka më tenin e fytyrës si dikur. Iu ka lëvarë lëkura e iu ka thye si për pikturë në shtatëqind palë e sa të duash thuaj. Iu kanë mërrolë sytë. I kanë rënë dhëmbët. Ndonjë ka filluar të çaloj e të shtrembërohet me nj’anë. S’e mbajnë më këmbët! Do të thotë, pak hedh shkëndijë jete nga trupi që i është harxhuar mendja. Çudi! Që të gjitha këto injoranti i sotëm i fshin, se, jam i ri, thotë me mendje të vetën. Dhe s’më del gjë para se kam pushtet! Sikur ai ka lindur nga diçka që nuk mund ta marrë me mend ky njeriu i sotëm. Sikur ka rënë nga qielli. E kemi thënë këtë, po kush të dëgjon ore mik?! Dhe vetëm ai, i cili ndodhet në ndonjë karrige ulur për t’i “shërbyer” këtij qytetari të këtij vendi, ai i di të gjitha. Veç ushton rruga në përshkim pranë. Sikur shqyhet diçka prej tij. Kur e dëgjon çka thotë zyrtarisht…Mjerim!
Vlerësimi i punës së mësimdhënësit dhe mirënjohja
Nejse. Të mos e tejkalojmë atë për të cilën e kemi për qëllim të shënojmë me këtë rast. Para nja dy-tri viteve shkrova për mirënjohjet dhe dhënien e letrave, gjëja me vlerë. Atyre letrave si lojë e fëmijëve të shtatë-tetë viteve moshë, kur ata do të organizoheshin në ato lojëra pa hile, e të cilët do të ndanin rolet e tyre si përfaqësues të qytetarëve në shoqërinë tonë. Kaq do të dilte maskarada e këtyre “dylberëve” edhe nëpër qeverisjet komunale, këtu e kam fjalën për Shtatë Marsin – Dita e mësuesit! Shumë interesant, a!? Por, është për habi, zyrtarët tanë, nuk kursejnë fjalë të mëdha për këtë ditë. Tamam, sikur të ishin rilindësit e asaj kohe. Sikur ata ta kishin themeluar shkollën e parë shqipe. Krejt kjo do të ishte në rregull, kështu edhe duhet të interpretohet kjo ditë edhe prej të gjitha strukturave shoqërore e politike. Kjo s’ka dilemë, sikur puna para veteranëve të kishte shkuar me rend e me vend. Por, e merr dhe shkruan fleta me vulë zyre, nënshkruan dhe thotë, ‘qe unë të jem mirënjohës si institucion për punën tënde kaq kohë dhe të falënderoj’ etj. etj. Shumë mirë. Nuk duhet të jemi si punëtorë arsimi aq interesxhinj e materialistë. Po, pse ka për zyrtarët tanë në institucione të ndryshme: për paga dhjetë fish, për telefona, për udhëtime, mëditje… (edhe ata janë shqiptarë si ne)? Po, pse nuk ka mjete për arsimin, veteranët? Po, ku e kanë vendin pensionistët, ata të arsimit veçanërisht? Cilat kushte stimuluese për këtë pak kohë janë për ta? Si duket, nuk kemi përgjegjës për ta dhe as institucione publike. Janë vetëm institucione të partive, të atyre zyrtarëve që po i shkarravitin…
As ndonjë dhuratë apo mjete financiare…këto të fundit i kanë shkërdhye ata vetë. Ata janë pushteti. Na jemi kurrgjë hiçi! Këtë llum e kapërdijmë edhe ne vetë si mësimdhënës (veteranë e hamam), por nuk dimë të flasim asgjë, veç kur i kallet bytha secilit dëshiron të thotë fjalë të mëdha…! U gëzofshin edhe servilët se, koha e tyre është tashmë… /2L ONLINE/