Mbështetje për familjet në nevojë
Në prag të stinës së vjeshtës, familjet që përballen me vështirësi ekonomike dhe sociale në Gjilan kanë përfituar mbështetje për t’ua lehtësuar nevojat e përditshme. Aktiviteti është realizuar nga Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, në bashkëpunim me partnerët institucionalë dhe organizativë.
Drejtoresha e kësaj drejtorie, Mimoza Kadriu Qerimi, tha se mbështetja synon të ndihmojë familjet që kanë më shumë nevojë për përkrahje, veçanërisht në prag të ndryshimit të stinës.
“Në prag të stinës së vjeshtës, së bashku me partnerët tanë, u ofruam mbështetje familjeve që përballen me vështirësi ekonomike dhe sociale, me synimin që sadopak t’ua lehtësojmë përditshmërinë dhe nevojat e tyre”, deklaroi Kadriu Qerimi.
Ajo ka shprehur mirënjohje për Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, si dhe OJQ-në “Nënë Tereza”, për bashkëpunimin dhe kontributin në mbështetje të familjeve në nevojë.
“Kujdesi për qytetarët dhe mbështetja e familjeve që kanë më shumë nevojë për përkrahje janë përgjegjësi e përbashkët. Vetëm përmes bashkëpunimit dhe solidaritetit mund të ndërtojmë një shoqëri më të kujdesshme dhe më gjithëpërfshirëse”, theksoi drejtoresha e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. /2LONLINE/
