Mbajeni premtimin, dhuroni atë që e keni premtuar në Gala Mbrëmje!
/2L ONLINE/ – Drejtues të komunës së Gjilanit kanë bërë me dije se po vazhdojnë aktivitetet për të ndihmuar familjeve që kanë nevojë për strehim dhe banim, si rezultat i një Fondi social që kishte ndarë komuna për ndihmë familjeve që kanë nevojë për strehim dhe banim dhe të Gala mbrëmjes humanitare me komunitetin e biznesit dhe qytetarët e vullnetit të mirë, që kishte organizuar vitin e kaluar me moton “Pak nga ne, shumë për ata”.
Por, kreu i komunës së Gjilanit Lutfi Hairi ka kërkuar nga të gjithë ata që kishin premtuar në atë mbrëmje, por edhe më pas, se do të ndihmojnë Fondin në fjalë, që të kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve në nevojë, ta bëjnë atë sa më parë..
Përndryshe, Haziri ka bërë me dije se do të nisin edhe pesë objekte të reja për të ndihmuar kategorinë e nevojtarëve, pastaj për 41 familje do të paguhet qiraja, por jo më shumë se 100 euro në muaj si dhe është paraparë renovimi i 32 shtëpive, vlera e të cilës është 200 mijë euro.
Kryetari i Komunës Lutfi Haziri edhe njëherë ka apeluar të gjithë donatorët që kanë premtuar në mbrëmjen humanitare të organizuar nga Komuna e Gjilanit që premtimet e tyre t’i bëjnë realitet sa më parë, duke i deponuar mjetet në xhirollogaritë zyrtare të Komunës.
Përndryshe, rikujtojmë se në mbrëmjen humanitare të Komunës së Gjilanit me moton “Pak nga ne, shumë për ata”, ishin premtuar nga njerëzit e vullnetit të mirë mbi 280 mijë euro, mbi 100 mijë franga zvicerane, 10 shtëpi me çelësa në dorë, si dhe elemente tjera si: dyer, dritare, ndërtim të kulmeve, kuzhina etj., të cilat e ndihmojnë shumë realizimin e këtij projekti për ndihmë familjeve në nevojë, ndërkohë që fondi i ndarë nga Komunë ishte 100 mijë euro.. /2L ONLINE/
