Mbahet testi me shkrim nga lëmia civile për rekrutimin e gjyqtarëve të rinj
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka organizuar testin me shkrim në lëminë civile për kandidatët për gjyqtarë, në kuadër të procesit të rekrutimit për 20 pozita të gjyqtarëve në nivelin e Gjykatave Themelore të Republikës së Kosovës.
Nga gjithsej 86 kandidatë që kanë kaluar testin kualifikues, morën pjesë 85 kandidatë, 46 femra dhe 39 meshkuj. Testi u mbajt në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.
Komisioni për Rekrutimin e Gjyqtarëve, me qëllim të rritjes së transparencës në sistemin gjyqësor, përpiloi testin me shkrim në ditën e mbajtjes së tij, duke u fokusuar në lëminë civile për kandidatët pjesëmarrës.
Mbikëqyrjen e testit të sotëm me shkrim e bënë anëtarët e Komisionit për Rekrutim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Për të monitoruar procesin ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga partnerët ndërkombëtarë: Misioni për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), si dhe aktivistja Flutura Kusari.
Testi me shkrim për rekrutimin e gjyqtarëve të rinj është pjesë e fazës së dytë të procesit të përgjithshëm të testimit, të cilin Këshilli Gjyqësor i Kosovës e menaxhon sipas standardeve më të avancuara ndërkombëtare. /2LONLINE/
