Komuna e Gjilanit, përkatësisht Drejtoria për Zhvillim Ekonomik, mbajti sesion informues lidhur me thirrjen publike “Fondi për subvencionimin e bizneseve start-up dhe bizneset e grave 2024”.
“Vitin e dytë me radhë, hapet thirrja publike për përkrahjen financiare për Start-Up dhe bizneset me pronare gra. Fondi 113 mijë euro ka për qëllim zhvillimin ekonomik”, tha kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.
Ai shtoi se do të ketë përkrahje direkte financiare për ndërmarrjet e të rinjve dhe fuqizimin e bashkëpunimit me sektorin e biznesit.
“Është një tjetër zotim i joni elektoral i cili po përmbushet. I bëjmë thirrje të gjithë të rinjëve dhe grave ndërmarrëse që të aplikojnë dhe të fillojnë apo zgjerojnë bizneset e tyre ekzistuese, ashtuqë së bashku të fuqizojmë sektorin e biznesit dhe zhvillimin ekonomik të qytetit”, tha Hyseni.
Kryetari trego tutje se vitin e kaluar janë dhënë 135 mijë euro ku kanë përfituar 45 persona.
Ndërsa, Enver Shabani, drejtor i Zhvillimit Ekonomik, tha se po vazhdon mbështetja për bizneset.
Sipas tij të gjithë të interesuarit duhet të aplikojnë në thirrjen për subvencionimin e bizneseve të grave ekzistuese dhe ndërmarrësit e rinj për tu informuar rreth mënyrës së aplikimit, kriteret e përzgjedhjes sipas udhëzuesit për aplikantë.
Derisa falënderime patën edhe dy përfituese të subvencionit nga viti i kaluar, të cilat pas përfitimit të grantit nga komuna po vazhdojnë me biznes. /2LONLINE/