Mbahet me sukses gara ndërkombëtare e matematikës “Kenguri pa kufi”

Mbahet me sukses gara ndërkombëtare e matematikës “Kenguri pa kufi”

Më 18 Mars 2016, edhe në Regjionin e Gjilanit (Gjilan, Viti dhe Kamenicë) u mbajt me sukses Gara Ndërkombëtare e Matematikës “Kenguri pa kufi” . Në këtë garë morën pjesë mbi 800 nxënës të klasave I-XII, nga Regjioni i Gjilanit. Gara u organizua nga Instituti “Atomi”në Prishtinë, me përkrahje nga MASHT-i.

Gara Ndërkombëtare e Matematikës “Kenguri pa kufi” mbahet njëkohësiht në mbarë botën, për dhjetëra vite me radhë. Në këtë garë marrin pjesë nxënësit e klasave I-XII, të ndarë në kategori sipas klasave: Fillestarët (kl. I-II), Fatosët (kl. III-IV) , Pionierët (kl. V-VI), Kadetët (kl. VII-VIII) ,Juniorët (kl. IX-X) dhe Seniorët (kl. XI-XII). Të drejtën e pjesëmarrjes e kanë të gjithë nxënësit e këtyre klasave, pa marrë parasysh suksesin që kanë.

Ata ju nënshtrohen të njëjtave teste në tërë botën, sipas kategorive që iu takojnë. Kjo garë sivjet u organizua në rreth 75 shtete të botës, ku morën pjesë mbi gjashtë milionë nxënës. Kjo është gara më e madhe e dijes për nxënës, që organizohet në botë.
Republika e Kosovës sivjet mori pjesë në këtë garë për herë të parë, me të drejta të plota. Gara në Kosovë u implementua nga Instituti “Atomi” në Prishtinë dhe u përkrah edhe nga MASHT-i. Nga ky institut u ngrit një bord në nivel shtetëror i udhëhequr nga Valmir Krasniqi, për konkurrimin e Kosovës në këtë garë dhe përgatitjen e garës më pas në Kosovë.

Kjo garë u mbajt më 18 Mars në tërë Kosovën. Në kuadër të kësaj gare, në Kosovë morën pjesë rreth 4300 nxënës. Kështu edhe matematikanët e Kosovës, po e afirmojnë shtetin e Kosovës në shkallë botërore. Gara në Kosovë u monitorua nga një komision ndërkombëtar, i udhëhequr nga Sllovenia.

Gara Ndërkombëtare e Matematikës “Kenguri pa kufi” u organizua edhe në Regjionin e Gjilanit, ku morën pjesë mbi 800 nxënës. Gara u mbajt në Gjilan, ku morën pjesë mbi 460 nxënës, në Viti ku morën pjesë mbi 270 nxënës dhe Kamenicë ku morën pjesë mbi 80 nxënës.

Koordinator i Regjionit të Gjilanit dhe njëkohësisht Komunës së Gjilanit për këtë garë ishte (unë) Festim Shkodra. Në Viti koordinator ishte Habib Rexhepi, ndërsa në Kamenicë koordinator ishte Agim Maliqi. Organizimi me sukses i garës në këtë regjion u bë me mbështetjen nga Instituti “Atomi” në Prishtinë dhe falë punës së madhe të koordinatorëve, bashkëpunimit të mirë me DKA-të e komunave përkatëse, drejtoritë e shkollave në këto komuna si dhe mësimdhënësit e tyre. Promovimin medial të kësaj gare në regjionin e Gjilanit e bëri me mjaft sukses TV VALI nga Gjilani, por gjithashtu edhe TV publike Klan Kosova, TV KOHA etj. Kompania vendore RC COLA, siguroi për të gjithë pjesëmarrësit e garës në Regjionin e Gjilanit nga një pije.

Në hapjen e kësaj gare, në të gjitha komunat e këtij regjioni morën pjesë edhe drejtorët e DKA-ve të tyre dhe mysafirë të tjerë. Nga të gjithë u përmend rëndësia e kësaj gare për nxënësit tanë dhe vendin tonë në përgjithësi. Nga koordinatorët e komunave u tha se qëllimi kryesor i kësaj ngjarje është pos tjerash popullarizimi i matematikës në mesin tonë. Kjo garë tregon se matematika mund të jetë njëkohësisht sa sfiduese edhe praktike dhe argëtuese.

Por rëndësia e madhe e Garës Ndërkombëtare “Kenguri pa kufi”,qëndron edhe në faktin se ajo po i thyen kufijtë midis shteteve dhe midis nxënësve, sepse ju mundëson pjesëmarrjen e lirë të gjithëve. Kështu sivjet edhe Kosova u bë pjesë e barabartë e botës në këtë lëmi.

Testet e garës janë përgatitur nga një komision ndërkombëtar i ngritur nga Asociacioni Ndërkombëtar,,Kenguri Pa Kufi” me seli në Paris dhe kontrollohen në mënyrë elektronike. Detyrat e garës dhe zgjidhjet e tyre publikohen në muajin prill.

Rezultatet e arritura shpallen në muajin prill,ato iu dërgohen individualisht secilit nxënës, ndërsa më të mirët shpallen publikisht.

Të gjithë pjesëmarrësve të kësaj gare në Kosovë do t’i u jepen certifikata të njohura ndërkombëtarisht ku pasqyrohet suksesi i arritur nga secili nxënës. Ndërsa për më të suksesshmit do të sigurohen shpërblime të ndryshme, kurse dhe trajnime të avancuara falas nga profesionistë të matematikës, mentorim nga profesionistë të matematikës, qasje falas në literaturë të avancuar të matematikës, vizita studimore jashtë vendit, certifikim i njohur ndërkombëtarisht, bursa shkollimi në shkolla cilësore të Kosovë etj.

/FESTIM SHKODRA, koordinator i Regjionit të Gjilanit/

KOMENTE