DYLON

Mbahet mbledhja e KKSB-së

Mbahet mbledhja e KKSB-së
Avatar photo Redaksia

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi në Komunën e Kamenicës, ka mbajtur mbledhjen e radhës. Në këtë mbledhje të pranishëm ishin Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, koordinatori i Këshillit, Fisnik Kastrati, anëtarët e KKSB-së, Komandanti i Policisë, Florim Klaiqi, Komandanti i Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit, Nazuf Hajrizi, përfaqësuesi i FSK-së, Aldi Blyta, përfaqësuesi i OJQ-ve, përfaqësuesja e Komunitetit të Personave me aftësi të kufizuara dhe të tjerë.

Mbledhjen e hapi Kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj, ku ka paraqitur rendin e ditës për votim.

EkoHigjiena

Në rend dite për shqyrtim ishin këto pika:

1. Përmirësimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, si bashkëpunimi në mes të policisë, shkollave dhe shërbimeve sociale;

2. Ndikimi i mospërmbushjes të obligimeve nga memorandum bashkëpunimi për “Rikonstruimin dhe Asfaltimin të Rrugës Shipashnicë e Ulët, Bujanoc, Guri i Bardhë, Kikë”. Sh.02 Nr.18513 datë 18.04.2017 e nënshkruar në mes të Air Energy dhe Komunës së Kamenicës;

3. Mos-dorëzimi i një plani preventive për mbrojtje nga ngricat nga Kompania “Girish” dhe

4.Të ndryshme.

Pas votimit të rendit të ditës, Drejtori i Arsimit, Afrim Dervishi, ka folur lidhur me përmirësimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, si bashkëpunimi në mes të policisë, shkollave dhe shërbimeve sociale.

“Bashkëpunimi ynë ndërinstitucional lidhur me shkollat është në nivel tejet të mirë. Për këtë e falënderoj Policinë e Kosovës, Shërbimet Sociale, OJQ-të dhe të gjithë akterët tjerë që çdo herë janë të gatshëm të përgjigjen në Drejtorinë tonë nëse ne kemi ndonjë problem dhe na duhet ndihma e tyre lidhur me insitucionet tona shkollore. Ne të gjithë jemi të gastshëm të bashkëpunojmë për mirëqenien e fëmijëve tanë”, ka thënë Drejtori Dervishi.

Edhe Komandanti i Policisë, Florim Klaiqi, ka treguar për bashkëpunimin që kanë Policia me Drejtorinë e Arsimit.

“Bashkëpunimi me DKA-në ka qenë i kënaqshëm dhe çdoherë janë përgjigjur në kërkesa e Policisë, Ne kemi pasur një kërkesë që këtë nuk po arrijmë ta përfundojmë e që ka të bëjë lidhur me identifikimin e nxënësve me problem të ndryshme. Sado që kemi pasur takime me Drejtorin dhe stafin e DKA-së, është e vështirë që të identifikohen të gjithë nxënësit, mirëpo ne do të vazhdojmë përpjekjet tona deri të plotësohet edhe kjo kërkesë”, ka thënë Komandant Klaiqi.

Ndërsa lidhur me mospërmbushjen e obligimeve nga memorandum bashkëpunimi për “Rikonstruimin dhe Asfaltimin të Rrugës Shipashnicë e Ulët, Bujanoc, Guri i Bardhë, Kikë”. Sh.02 Nr.18513 datë 18.04.2017 e nënshkruar në mes të Air Energy dhe Komunës së Kamenicës, ka folur menaxherja e kontratës Florentinë Kryeziu.

“Kemi disa muaj që mundohemi ta gjejmë një mes bashkëpunimi me kompaninë por që nuk marrim përgjigje të sakta se çka kërkojmë. Kontrata ëzhtë bërë në vitin 2014 pastaj në vitin 2017 është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për asfaltimin e rrugës, e që nuk është realizuar por procedurat janë të hapura. Sa i përket qiradhënies e dimë që është paguar për komplet vitet”, ka thënë ajo.

Edhe Kryetari Rahimaj lidhur me këtë pikë ka thënë se në takimet e zhvilluara për përmbushjen e të gjitha obligimeve nuk kanë hasur në një gjuhë bashkëpunuese me kompaninë “Girish”.

“Kjo gjuhë jo e duhur e ka vendosur në lajthitje bashkëpunimin mes dy palëve e që ka qenë vullnet i lirë bashkëpunimi ynë. Konsideroj që memorandumi duhet të përmbushet ashtu siç është nënshkruar, sepse kjo cenon edhe sigurinë e banorëve edhe zhvillimin e asaj ane. Kemi një pengesë shumë të madhe që po ndodh me vetëdije të plotë nga kompania, e që i kemi ndarë shqetësimet tona në secilin takim. Çdo stagnim e çdo cenim i sigurisë së banorëve do t’i faturohet kompanisë në një të ardhme shumë të afërme”, ka thënë Kryetari Rahimaj.

Edhe lidhur me pikën për mosdorëzimin e një plani preventive për mbrojtje nga ngricat nga Kompania “Girish”, ka folur menaxherja e kontratës Florentinë Kryeziu.

“Ka disa muaj që km dërguar kërkesa tek kompania për realizimin e një plani preventiv e asnjëhere se kam marr. Edhe ne si komunë e kemi një plan të vlerësimit të rrezikut ku përmenden masat mbrojtëse nga goditjet nga tërmetet, pastaj vërshimet, zjarret e të tjera dhe unë të njëjtën gjë e kam kërkuar nga kompania pra një planë të tillë. Mirëpo ata më kanë dorëzuar vetëm shenja sinjalizuese kurse unë kam kërkuar një plan preventiv si mbrojtja nga rreziqet e akullnajave të cilat mund të rrezikojnë jetën e banorëve”, ka thënë ajo.

Kurse Kryetari Rahimaj ka theksuar se kanë marr shqetësime nga banorët e zonës dhe turistët që e frekuentojnë atë pjesë lidhur me rreziqet e mundshme.

“Ka shqetësime pasi që kompania po e vonon mospërmbushjen e memorandumit. Hapat e ardhshëm që duhet përmbushur është plani preventiv sipas ligjeve të Kosovës. Sinjistika është e obliguar me ligj për secilën kompani, ku edhe kompanitë vendore e bëjnë këtë. Por kur banorët rrezikohen duhet një plan preventiv”, ka thënë Kryetari Rahimaj.

Ndërsa avokati i kompanisë Ardian Rexha tha se qëndrimet dhe gatishmëria për memorandumin është shprehur pavarësisht afatit kur është nënshkruar mirëpo sipas tij shpenzimet dhe kostot për kompaninë janë tejkaluar.

“Kompania operon në bazë të Ligjit për Investime Strategjike dhe në vazhdimësi sigurohet që veprimtaria e saj të mos e dëmtoj shëndetin dhe zonat përrreth, dhe në këtë drejtim kemi ofruar të bëjmë asfaltimin e një pjese të rrugës sipas një plani të dorëzuar në komunë. Ndërsa pjesët tjera mund t’i bëjmë me kompaninë një format tjetër”, ka thënë ai.

Mirëpo reagimi I Kryetarit Rahimaj ishte që ky memorandum ka vlerën 1.4 milion ero dhe si i tillë duhet të zbatohet pasi që ishte kompania ajo që ka pranuar edhe shtrimin e trases. /2LONLINE/