Mbahet konsultimi publik për Draft-Rregulloren për Kodin e Etikës së Komunës së Kamenicës
Grupi punues për hartimin e Draft-Rregullores për Kodin e Etikës së Komunës së Kamenicës ka mbajtur konsultimin publik për këtë dokument ku morën pjesë anëtarë të grupit punues dhe zyrtarë komunalë.
Në hapje të takimit kryesuesi i grupit punues, Fisnik Kastrati, tha se ky është dokumenti i parë i këtij lloji në Komunën e Kamenicës dhe se synon të kontribuojë në funksionimin sa më të mirë të administratës komunale.
“Falënderoj anëtarët e grupit punues me të cilët, në bashkëpunim me kryetarin, kemi punuar mjaft shumë që të arrijmë më në fund në një draft-dokument që përcakton sjelljen dhe paraqitjen e zyrtarëve. Andaj mendoj që ky dokument duhet të jetë i pranueshëm për të gjithë ne”, tha Kastrati.
Anëtarja e grupit punues Bejaze Morina, prezantoi pikat kryesore të Draft-Rregullores të cilat përfshijnë marrëdhëniet me qytetarët, paraqitjen dhe veshjen e zyrtarëve, paanshmërinë politike, dhuratat dhe favoret, përdorimin e pasurisë komunale, sjelljen në rrjete sociale, punën e dytë dhe konfliktin e interesit, si dhe takimet me operatorët ekonomikë.
Gjatë konsultimit të pranishmit parashtruan pyetje dhe komente lidhur me dispozitat për kodin e veshjes, higjienën, dhuratat, konfliktin e interesit, qasjen në dokumente publike, mbrojtjen e të dhënave, si dhe trajtimin e rasteve specifike që lidhen me natyrën e punës apo arsye shëndetësore.
Në përfundim të konsultimit, grupi punues bëri të ditur se do t’i shqyrtojë të gjitha komentet dhe propozimet e paraqitura gjatë këtij diskutimi dhe do t’i marrë në konsideratë gjatë finalizimit të draft-dokumentit. /2LONLINE/
