Grupi për hartimin e Draft-Planit të Veprimit për Mekanizmin Koordinues kundër Dhunës në Familje në Komunën e Kamenicës (2024-2026) ka mbajtur konsultimin publik për këtë dokument.
Të pranishëm në këtë konsultim ishin zyrtarë nga Drejtoritë si ajo e Bujqësisë, Shërbimeve Publike, Mirëqenies Sociale, Qendrës për Shërbime me Qytetarë, Zyrës për Integrime Evropiane, dhe të tjerë.
Në këtë takim kryesuesja e grupit punues Nazmije Demolli-Kastrati ka prezantuar Draft-Planin duke e nisur me thënien e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, António Guterres: “Dhuna ndaj grave në thelb është çështje e pushtetit. Ajo do të përfundojë vetëm kur barazia gjinore dhe fuqizimi i plotë i grave do të bëhen realitet”.
Ajo ka thënë se Plani i Veprimit të Mekanizmit Komunal Kundër Dhunës në Familje për Komunën e Kamenicës synon:
të punojë në parandalimin e dhunës në familje dhe ngritjen e vetëdijes tek komuniteti për aspektet negative të këtij fenomeni;
të përmirësojë/ndërtojë sistemin e grumbullimit dhe shkëmbimit të të dhënave në mes të akterëve relevant;
të fuqizojë mekanizmat për reagim sa më të shpejtë ndaj rasteve të dhunës në familje dhe të përmirësojë koordinimin në mes anëtarëve të grupit gjatë menaxhimit të tyre;
të bëjë avokim dhe monitorim të zbatimit të politikave si dhe të sugjerojë ndryshime bazuar në përvojat më të mira nga terreni.
Poashtu sipas kryesues Demolli-Kastrati Plani i Veprimit të MKKDHF bazohet në tri fusha të veprimit, si:
– Vetëdijësimi dhe Parandalimi
– Mbrojtja dhe Koordinimi
– Fuqizimi ekonomik, rehabilitimi dhe riintegrimi.
Pasi kryesuesja Nazmije Demolli-Kastrati ka prezantuar Draft-Planin në tërësi, është hapur diskutimi për pyetje dhe komente nga të pranishmit. /2LONLINE/