Zyra e Kryetarit te Komunës së Kamenicës, ka mbajtur konsultimin publik për Qarkoren e Parë Buxhetore 2025/01 dhe Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) 2025-2027.
Në këtë konsultim të pranishëm ishin Drejtorë te Drejtorive Komunale, Nënkryetarja për Komunitete, Aleksandra Jovanovic, Komisioni për organizimin dhe mbajtjen e dëgjimeve buxhetore, zyrtarë të tjerë komunalë, përfaqësues nga OJQ-të, dhe të tjerë.
Këtë konsultim e hapi Drejtoresha e Drejtorisë së Financave, Ardita Dërmaku, e cila para të pranishmëve ka paraqitur dy dokumentet.
Ajo ka thënë se këtë vit buxheti ka rritje 5.22% më shumë sesa vitin e kaluar.
“Qarkorja e parë buxhetore paraqet kufijtë fillestar të organizatës buxhetore. Poashtu edhe KAB-i është dokument strategjik e cila miratohet nga Asambleja Komunale. Këtë vit buxheti komunal është rreth 15 milion 282 mijë e 624 euro. Grantet janë mbi 14 milion euro. Të hyrat vetanake mbi 1 milion euro. Pra këtë vit buxheti ka rritje 5.22% në krahasim me vitin paraprak”, është shprehur ajo.
Edhe zyrtari kryesor financiar, Naser Hashani, ka thënë se KAB-i është dokument tejet i rëndësishëm pasi që janë të paraqitura objektivat e të gjitha drejtorive.
“Qytetarëve ju interesojnë më shumë investimet kapitale, por ne ende nuk kemi arritur të hartojmë një listë për këtë sepse kjo bëhet në periudhën e dytë, dhe pasi të fillojnë dëgjimet buxhetore. Pra edhe takimin përmbyllës kur ta mbajmë për buxhetin, aty do të paraqitën të gjitha investimet kapitale”, ka theksuar ai.
Pasi përmbyllën paraqitjen e dy dokumenteve, është hapur debati për pyetje nga të pranishmit.
Zyrtari Durim Biqkaj nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka paraqitur disa komente.
“Tek Draft-Korniza Afatmesme Buxhetore, tek Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale po e shoh që janë disa të dhëna që nuk përputhen dhe nuk janë të harmonizara nga sektorët e drejtorisë sonë. Ne mendojmë që t’i harmonizojmë së shpejti dhe do t’ua dërgojmë draftin final nëse kemi kohë ende”, ka thënë ai.
Në përgjigjen e drejtoreshës Dërmaku u tha se deri para mbajtjes së mbledhjes së Kuvendit Komunal, do të thotë deri para datës 20 Qershor ka afat të dërgohen edhe komentet e fundit.
Ky konsultim është përmbyllur pa pyetje të tjera. /2LONLINE/