DYLON

Mbahet konferenca “Qëndrueshmëria Kombëtare – Sfidat dhe Rruga Përpara”

Mbahet konferenca “Qëndrueshmëria Kombëtare – Sfidat dhe Rruga Përpara”
Avatar photo Redaksia

Nën organizimin e Ministrisë së Mbrojtjes, në bashkëpunim me NALT (NATO Advisory Liaision Team) sot u realizua Konferenca “Qëndrueshmëria Kombëtare – Sfidat dhe Rruga Përpara”.

Në këtë konferencë morën pjesë autoritetet më të larta shtetërore, Presidentja e Republikës së Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ministri i Mbrojtjes, Komandanti i FSK, Ministra, Zëvendësministra , Drejtori i Policisë së Kosovës, Drejtori i NALT dhe zyrtarë e përfaqësues të agjensioneve të sigurisë në vend.

EkoHigjiena

Në fjalimin e saj, drejtuar pjesëmarrëseve në konferencë presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ndër të tjera theksoi:

“Për t`i forcuar bazat e qëndrueshmërisë kombëtare, është thelbësore të investojmë në mbrojtjen e infrastrukturën kritike si energjia, uji, transporti dhe komunikimet. Një tjetër element i rëndësishëm i qëndrueshmërisë kombëtare është bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar. Sfida të tilla si ndryshimet klimatike, migrimi, terrorizmi apo kërcënimet kibernetike kërkojnë një qasje të koordinuar me partnerët tanë strategjikë. Në këtë drejtim, roli i NATO-s dhe vendeve aleate, udhëhequr nga SHBA, mbetet jetik. Mbështetja e tyre ka qenë dhe vazhdon të jetë një shtyllë e fortë e qëndrueshmërisë sonë kombëtare.”

Kryeministri Albin Kurti, u shpreh se: “kjo konferencë është një hap drejt ndërtimit të një të ardhmje ku të gjithë qytetarët ndihen të mbrojtur, dhe vendi ynë mbetet një shembull i qëndrueshmërisë dhe përgatitjes. Republika e Kosovës vazhdon përpjekjet këmbëngulëse për t’u bërë anëtare e NATO-s. Forcimi i Qëndrueshmërisë është një përgjegjësi kombëtare, por përpjekjet tona do ta forcojnë Aleancën në tërësi. Në këtë drejtim Kryeministri theksoi se ashtu sikurse Aleatët e NATO-s edhe ne u jemi përkushtuar kërkesave bazë për Qëndrueshmërinë kombëtare duke i inkorporuar këto kërkesa në Planin e Reagimit Kombëtar.”

Konferenca ka vazhduar edhe në sesionin e panel diskutimeve për procesin e tranzicionit, politikave të mbrojtjes, bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe gatishmërisë operacionale. Në sesionin e dytë të konferencës me prezantime tematike për “Qëndrueshmëria kombëtare dhe gatishmëria civile, nga perspektiva e organizatës tuaj” u paraqitën përfaqësues nga FSK, Ministria e Punëve te Brendshme, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Pushtetit Lokal, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Drejtoria e Policisë së Kosovës, Agjensia e Menaxhimit Emergjent.

Qëllimi i organizimit të kësaj Konference ishte eksplorimi i strategjive inovative, për të ndarë praktikat më të mira dhe për të forcuar bashkëpunimin në përballimin e sfidave të përbashkëta, të nxisë dialogun dhe të ndërtojë ura mes perspektivave të ndryshme për të identifikuar rrugët më efektive drejt rritjes së qëndrueshmërisë kombëtare në të gjitha dimensionet e saj: të sigurisë, ekonomike, sociale, mjedisore dhe institucionale.  /2LONLINE/