Mbahet konferenca për shërbimet e vizitave shtëpiake për mirëqenien shëndetësore të nënave dhe fëmijëve
/2L ONLINE/ – Organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe UNICEF-i në bashkëpunim edhe me Komunën e Gjilanit është mbajtur sot konferencë për shërbimet e Vizitave Shtëpiake si një mënyrë për ta përmirësuar shëndetin dhe mirëqenien e nënës dhe fëmijës.
Qëllimi i kësaj konference është vlerësimi i rezultateve kyçe të arritura dhe identifikimin e praktikave më të mira për gjenerimin e mësimeve të marra nga testimi i iniciativës së Vizitave Shtëpiake në Kosovë.
Me këtë rast ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ka thënë se qëllim i këtij takimi dhe shumë takimeve të tjera është ngritja e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për pacientë dhe ofrimin e tyre sa më afër qytetarëve.
“Qëllim kryesor I takimeve në të cilat është e përfshirë ministria e shëndetësisë janë kryesisht për ndritje të cilësisë së shërbimeve shëndetësore, por edhe ofrimin e tyre sa më afër qytetarëve edhe përmes vizitave shtëpiake. Kemi kthyer vëmendjen nga kujdesi primar shëndetësor, sepse nga ky nivel mund të zbulohen në fazë fillestare problemet shëndetësore të pacientëve dhe është më i lehtë edhe diagnostifikimi i sëmundjeve, kur ato janë në fazën fillestare. Së bashku me “unicef-in” jemi duke punuar për suksese në këtë drejtim në mënyrë që sukseset të jenë në funksion të shëndetit më të mirë për qytetarët”, ka thënë ndër të tjerash ministri Rrahmani në fjalën e tij në këtë konferencë.
Ai më tej ka falënderuar kryetarin e Komunës së Gjilanit për angazhimin konkret në mbështetjen e shëndetësisë primare në Gjilan, sikur që ka apeluar tek të gjitha gratë shtatëzëna që të bëjnë kontrollat mjekësore, ndërsa nga familjet të cilat kanë fëmijë të cilët janë të pa vaksinuar, ai ka kërkuar që menjëherë të bëhet vaksinimi i tyre nëpër qendrat e mjekësisë familjare.
Kurse në fjalën e tij kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, ka thënë se Gjilani, ka rritur kapacitetet e stafit shëndetësir në shëndetësinë primare me qëllim të shtrirjes së shërbimeve në gjithë hapësirën e Gjilanit.
“Me rritjen e kapaciteteve njerëzore-profesionale është bërë e mundur shtrirja e shërbimeve shëndetësore në gjithë hapësirën e Gjilanit. Gjatë vitit të kaluar është praktikuar kontrolla sistematike e nxënësve nëpër shkolla që ka nxjerrur rezultate dhe statistika të rëndësishme për shëndetësinë primare. Përmes këtij veprimi, në kemi marrë hapat konkret të veprimit në kuadër të parandalimit të ndonjë çrregullimi tek fëmijët. Ndërsa sa i përket vizitave të mjekut në shtëpi kjo është ndër praktikat më të mira deri më tani, sepse tani komuniteti është pritësi i mjekut dhe jo e kundërta, që lë të kuptohet se angazhimi është duke ndodhur në këtë formë, që çdo problem shëndetësor të zbulohet edhe në zonat më të thella, në mënyrë që sa më parë të bëhet veprimi i reagimit shëndetësor”, ka thënë kryetari Haziri.
Kurse, Laila Omar Gad, shefe e zyrës së “unicef-it” në Kosovë, ka thënë se ka thënë se përmes vizitave familjare në shtëpi pretendohet të arrihet nëpër të gjitha shtëpitë dhe pacientët të cilët kanë nevojë për mjekun apo infermierin.
“Përmes vizitave në shtëpi, pretendohet që nënat shtatëzëna dhe fëmijët e posalindur të kenë një mbykëqyrje të zhvillimit të tyre që nga lindja e deri në edukimin e hershëm dhe nevojën e madhe për institucionet parashkollore. Ky model është në një forëm edhe njëlloj monitorimi rigoroz dhe mundësi që ky system të jetë edhe më gjerë i shtrirë, ndërsa efektet sigurisht që do të jenë të mëdha. Kjo mund të bëhet me përfshirjen e të gjithë partnerëve të mundshëm në këtë process”, ka thënë ajo në fjalën e saj në këtë konferencë.
Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë me mbështetjen e UNICEF-it e ka zbatuar qasjen e decentralizuar në kujdesin shëndetësor parësor në pesë (5) komuna (Ferizaj, Prizren, Gjakovë, Dragash dhe Fushë Kosovë), si përpjekje për t’i adresuar pabarazitë, për ta ngritur efikasitetin, cilësinë dhe sigurimin e shërbimeve shëndetësore për nënën dhe fëmijën, për mbështetjen e shëndetit dhe mirëqenies së fëmijëve të vegjël dhe familjeve të tyre, veçanërisht për ata që janë në mesin e më të cenuarve nga pikëpamja e bashkëpunimit multi-sektorial.
Gjatë vitit 2015, 200 infermiere në mbarë Kosovën e kanë kaluar një trajnim bazik për vizitat shtëpiake dhe 64 infermiere janë përfshirë në mënyrë direkte në zbatimin e shërbimeve të vizitave shtëpiake në 5 komuna, me rreth 6,000 vizita shtëpiake që janë zhvilluar në vitin 2015. Si rezultat i vizitave shtëpiake, nënat, prindërit dhe kujdestarët kanë mësuar për rëndësinë e të ushqyerit të fëmijëve me gji, të ushqyerit korrekt, rëndësinë e imunizimit, përmirësimin e praktikave të kujdesit ndaj fëmijës.
Dëshmitë ekzistuese tregojnë se vizitat shtëpiake kanë kontribuar në mënyrë efektive në përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies së fëmijëve në rrezik dhe të familjeve më të cenuara. /2L ONLINE/
