/2L ONLINE/ – Dy rregullore komunale – rregullorja për taksa dhe rregullorja për subvencione i janë nënshtruar dëgjimit publik, për t`i marrë edhe vërejtjet, sugjerimet dhe propozimet e qytetarëve dhe grupeve të interesit, para se këto dy akte nënligjore të miratohen në Kuvend Komunal.
Hevzi Matoshi, shef i Zyrës Ligjore, ka thënë se nga rregullorja për taksa, Komuna nuk synon të mbush arkën e saj, por është e domosdoshme të arkëtohen aq mjete sa janë të nevojshme për të mbuluar shpenzimet e një shërbimi që i ofrohet qytetarit.
Ndërkaq rregullorja për ndarjen e subvencioneve përcakton mënyrën e ndarjes së subvencioneve, që prej vitit të ardhshëm do të bëhet përmes shpalljes publike, ku Komuna ka të drejtë të bëjë edhe auditimin e procedurave dhe qëllimin e shpenzimit të mjeteve.
Sa i përket rregullores për taksa komunale, ndryshime ka te Administrata, që më tepër janë modifikime të tarifave aktuale, te Zhvillimi Ekonomik, ku ka ulje, përkatësisht heqje të disa tarifave për biznese, te Shërbimet Publike, ku shtohet tarifa për mbeturina, që deri tani është caktuar nga ZRRUM, por çmimi nuk ndryshon dhe të tjera.
Hollësi rreth ndryshimeve të propozuara në këto du rregullore, kanë dhënë drejtorët Agim Zuzaku (Zhvillim Ekonomik), Nazim Gagica (Administratë e Përgjithshme) Naser Korça (Shërbime Publike), Nexhat Hajrullahu (Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale), Ramiz Ramadani (Bujqësi), përkatësisht përgjegjësit dhe zyrtarët e sektorëve dhe njësive, Malazog Hoxha (Sport), Kujtim Bajrami (DSHP) dhe të tjerë.
Me propozime, pyetje e sugjerime konkrete, këtij dëgjimi publik i kanë kontribuuar Ibish Ibishi, Musli Matoshi, Sami Ahmeti dhe të tjerë. /2L ONLINE/