Mbahet dëgjim publik në Velekincë dhe Zhegër për buxhetin e vitit 2016
/2L ONLINE/– Komuna e Gjilanit, përkatësisht Drejtoria për Buxhet dhe Financa, ka mbajtur mbrëmë dëgjim publik me banorët e fshatrave Velekincë dhe Zhegër për buxhetin e vitit 2016, ku pati pjesëmarrje të kënaqshme të qytetarëve.
Në ngjarje ka marrë pjesë drejtori për Buxhet dhe Financa, Zijadin Maliqi, drejtori i Departamentit të Prokurimit, Salih Kqiku si dhe shefi i grupit të këshilltarëve të LDK-së në Kuvend, Avdyl Aliu, i cili është edhe kryetar i komisionit komunal për themelimin e këshillave të fshatrave.
Përfaqësuesit e Komunës kanë paraqitur para qytetarëve planin për Buxhetin e vitit 2016, ndërkaq kanë këta të fundit kanë paraqitur shumë kërkesa për investime të ndryshme në këto fshatra.
Drejtori për Buxhet dhe Financa, Zijadin Maliqi, është zotuar se do të merren parasysh kërkesat e qytetarëve të Velekincës dhe Zhegrës, në mënyrë që të dalë një buxhet më i mirë dhe në interes të qytetarëve e që përkthehet me investime të shumta në të gjitha lëmitë.
“Jam orientuar kryesisht tek investimet kapitale dhe te subvencionet që ju interesojnë më tepër juve. Kërkesat tuaja do të merren për bazë dhe do t’i fusim në buxhetin e vitit 2016 dhe me të gjitha kapacitetet tona do t’i realizojmë ato. Ndërkaq, ju njoftoj se nga 3 shtatori hyn në fuqi Ligji për faljen e borxheve dhe ju lus që t’i paguani obligimet nga janari i vitit 2009 në mënyrë që të shlyhen obligimet që i keni deri në fund të vitit 2008. Ky është një lehtësim shumë i madh për qytetarët”, ka thënë me këtë rast drejtori Maliqi.
Drejtor i Departamentit të Prokurimit, Salih Kqiku, ka përmendur një numër të madh të projekteve që i ka realizuar Komuna nën udhëheqjen e Lutfi Hazirit në këto dy fshatra, ndërsa u shpreh se edhe kërkesat tjera për investime nga ana e qytetarëve për vitin 2016 do të bëhen realitet.
“Sivjet janë investuar një numër i madh i projekteve si në Velekincë ashtu edhe në Zhegër. Në fazën e përfundimit të asfaltimit janë 6 rrugë në Zhegër, kemi bërë hapjen e rrugëve të rendit të teret në Selishtë, Stanqiq, Goden, e shumë fshtra të Karadakut. Këtë muaj do të shpallet edhe tenderi për trotuarin Lladovë-Zhegër. Sa i përket Velekincës, është përfunduar asfaltimi i rrugës prej deponisë deri te xhamia, janë në fazë të vlerësimit tri rrugë, pastaj jemi në finalizim të fushës së sportit, e kemi rinovuar shkollën, i kemi larguar deponitë e egra, shtruarja e trotuarit dhe parkingut në oborr të shkollës. Poashtu, e kemi ndërtuar edhe zyrën e Këshillit të fshatit. Presim që edhe për vitin 2016 t’i realizojmë të gjitha kërkesat e qytetarëve të Velekincës dhe Zhegrës”, tha Kqiku.
Shefi i GK të LDK-së, Avdyl Aliu, tha se prej këtyre debateve interesi është i dyanshëm.
“Interesi i qytetarëve është se po flitet për projekte, të cilat do të realizohen dhe interesi i Komunës është se përmes pjesëmarrjes në këto debate po dëshmohet se qytetarët kanë besim në institucionin e Komunës”, tha Aliu.
Ndryshe, sot mbahet dëgjimi publik në fshatin Livoç i Epërm (ora 18:00) dhe në Përlepnicë (ora 20:00). /2L ONLINE/
