(2L ONLINE) – Është mbajtur ceremonia e certifikimit të studentëve të Programit Ballkanik të Paqes 2014 , që organizohet nga Fondacioni Bislimi Grup në bashkëpunim me Universitetin e Gjilanit, në të cilën ngjarje kanë marrë pjesë edhe kreu i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, profesori Flamur Hyseni përfaqësues i Universitetit Publik të Gjilanit, studentë të huaj e vendor dhe të tjerë.
Faton Bislimi, ligjërues Kryesor i Programit Ballkanik të Paqes ka bërë të ditur se Programi Ballkanik i Paqes, organizohet nga Fondacioni Bislimi Grup në bashkëpunim me Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”, e kanë marre pjese 16 studentë të huaj nga shume vende të botes si SHBA, Kanada, Britani, Indi, Irlanda, Franca, e Singapori, si dhe më se 20 studente lokal te përzgjedhur.
Bislimi ka bërë të ditur se tema e Programit Ballkanik ë Paqes ka qenë Zhvillimi Ekonomik dhe Politik në Vendet e Pas-Luftës: Kosova dhe Ballkani. Përveç ligjërimeve të përditshme, studentëve pjesëmarrës iu janë adresuar edhe Zv Shefi i Zyrës së BE-së në Kosove, z. Gnocchi (zëvendës i z. Zhbogar), si dhe Zv Ambasadori i SHBA-ve, z. Fabris, ne mes mysafireve tjerë ligjërues.
Edhe, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka marrë pjesë në këtë ceremoni në kuadër të Programit Ballkanik të Paqes në mes Universitetit nga Alberta-Kanada dhe Universitetit Kadri Zeka, që është organizuar nga Faton Bislimi.
Në fjalën e tij, kryetari Haziri ka lavdëruar punën e Bislimit, i cili ka ndikuar që të mbahet Universitetit veror dhe studentët e shumtë nga Kanada të marrin dhe të shkëmbejnë përvoja, të njihen me Gjilan, si Komuna kryesore e Anamoravës.
“Kjo është një mundësi shumë e mirë për ju që të mësoni dhe të shkëmbeni përvojat me studentët nga Gjilani si dhe e keni mundësinë shumë të mirë që të njiheni me këtë pjesë të Anamoravës, për kulturën dhe traditat tona. Ju uroj shumë suksese edhe në të ardhmen”, ka thënë me këtë rast kryetari Haziri.
Në shenjë respekti, kryetari Haziri u ka ndarë nga një libër të historikut të Gjilanit të gjithë studentëve ndërkombëtar që janë certifikuar.
Edhe Flamur Hyseni, profesor në Universitetin Publik të Gjilanit e ka vlerësuar si të suksesshëm këtë program dhe ka kërkuar që edhe në të ardhmen të ketë shkëmbim përvojash dhe studentësh në mes të Universiteteve tona dhe atyre vendeve nga vijnë edhe këta studentë të huaj që qëndruan në Gjilan, në kuadër të Programit Ballkanik të Paqes 2014.
Përndryshe, studentet e huaj pjesëmarrës në këtë program kanë qëndruar në familje nikoqire shqiptare në Gjilan si dhe kanë bërë një turne vizitash nëpër Kosovë, por edhe në trojet shqiptare në Mal te Zi, Shqipëri, e Maqedoni.
Programi njihet si program veror akademik ndërkombëtar përmes University of Alberta ne Edmonton, Kanada. /2L ONLINE/