DYLON

Mbahet Akademi Përkujtimore për përkujtimin e Betejës së Marecit si dhe 45 vjetorin e demostratave të vitit 1981

Mbahet Akademi Përkujtimore për përkujtimin e Betejës së Marecit si dhe 45 vjetorin e demostratave të vitit 1981
Avatar photo Redaksia

Nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Kamenicës Kadri Rahimaj, nën organizimin e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në bashkëpunim me OVL-UÇK në Kamenicë, është mbajtur Akademia Përkujtimore për përkujtimin e Betejës së Marecit dhe 45 vjetorin e demostratave të vitit 1981.

Të pranishëm në këtë akademi ishin Drejtori i DKRS-së Afrim Dervishi, ish-komandanti i zonës operative të Karadakut Ahmet Isufi, Kryetari i Shoqatës së të burgusorve politik z.Shefik Sadiku e Kryetari i OVL-UÇK-së, dega në Kamenicë Milaim Limoni.

EkoHigjiena

Të lartëpërmendurit në fjalën e tyre kanë vlerësuar lartë të dy këto momente emblematike të qëndrës së popullit shqiptar në rethana kur pak shpresohej për liri e barazi.

Beteja e Marecit përfaqëson një nga kulmet e rezistencës së organizuar në Zonën Operative të Karadakut, duke reflektuar jo vetëm guximin ushtarak të luftëtarëve të UÇK-së, por edhe një artikulim të qartë politik për liri dhe vetëvendosje. Kjo betejë dëshmoi se përpjekja për çlirim nuk ishte e rastësishme, por pjesë e një vizioni të strukturuar për ndërtimin e një shteti të lirë dhe demokratik. Përballë një force shumë më të madhe, qëndresa në Marec u kthye në simbol të vendosmërisë kolektive për të mos u nënshtruar dhe për të mbrojtur të drejtën legjitime për liri.

Në dimensionin politik, Beteja e Marecit kontribuoi në forcimin e besimit se liria dhe shtetësia janë rezultat i sakrificës dhe organizimit të përbashkët. Ajo ndikoi në mobilizimin e mëtejshëm të popullit dhe në konsolidimin e një fronti të gjerë për çlirim, duke e bërë të qartë se rruga drejt shtetit kalon përmes unitetit, qëndrueshmërisë dhe përkushtimit institucional. Sot, kjo betejë mbetet një kujtesë e fuqishme se përgjegjësia jonë politike është të ndërtojmë institucione të forta, të drejta dhe funksionale, në përputhje me idealet për të cilat u sakrifikua aq shumë.

Këtë vit, krahas përkujtimit të lavdisë së Betejës së Marecit dhe sakrificës së dëshmorëve të Zonës Operative të Karadakut, shënojmë edhe një përvjetor të rëndësishëm politik e historik – 45-vjetorin e demonstratave të vitit 1981.

Demonstratat e vitit 1981 përbëjnë një ndër momentet më të fuqishme të artikulimit politik të shqiptarëve të Kosovës në shekullin XX. Ato nuk ishin vetëm një shpërthim pakënaqësie, por një vizion i qartë politik për liri e barazi. Ishin kërkesa që sfiduan një sistem të tërë dhe hapën rrugën drejt ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës.

Përmes atyre demonstratave, u formësua një brez i tërë veprimtarësh politikë dhe intelektualësh, të cilët, pavarësisht burgosjeve, përndjekjeve dhe sakrificave të panumërta, nuk u ndalën asnjëherë në përpjekjet për të drejtat e popullit tonë. Ata ishin pararendësit e rezistencës së organizuar politike, që më pas u shndërrua në rezistencë të armatosur dhe çoi drejt çlirimit të vendit.

Rruga nga demonstratat e vitit 1981 deri te lufta e UÇK-së dhe shpallja e pavarësisë nuk ishte e lehtë – ishte një rrugë e gjatë, e mbushur me sakrificë, qëndresë dhe përkushtim të palëkundur. Por pikërisht kjo rrugë e bëri të qartë se liria nuk është dhuratë, por rezultat i një angazhimi të vazhdueshëm politik dhe kombëtar.

Sot, kur jetojmë në një shtet të lirë dhe sovran, përgjegjësia jonë nuk përfundon me përkujtimin. Përkundrazi, ajo fillon aty. Ne kemi detyrimin që idealet për të cilat u sakrifikua aq shumë – drejtësia, barazia, demokracia dhe dinjiteti – t’i shndërrojmë në realitet të përditshëm për qytetarët tanë.

Institucionet tona duhet të jenë të denja për sakrificën e atyre që luftuan dhe vepruan për këtë vend. Kjo nënkupton qeverisje të ndershme, transparencë, sundim të ligjit dhe zhvillim të qëndrueshëm që i shërben çdo qytetari pa dallim.

Në këtë frymë, përkujtimi i demonstratave të vitit 1981 nuk është vetëm një kthim pas në histori, por një thirrje për reflektim dhe veprim në të tashmen. Është një kujtesë se shteti ndërtohet çdo ditë, me përgjegjësi dhe me vizion të qartë politik.

Ky aktivitet mbahet në kuadër të Manifestimit Tradicional “Lulëkuqet e Prillit”. /2LONLINE/