DYLON

Mazhoranca parlamentare LDK-PDK shkeli mbi kërkesat e 33 mijë qytetarëve

Avatar photo Redaksia

Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Komiteti për Energjetikë përmes një Komunikate ka bërë të ditur se sot qytetarët e Kosovës ishin dëshmitarë të shkeljeje të pashembullt në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në votim u hodhën rekomandimet e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me peticionin e nënshkruar nga 33 mijë qytetarë të Kosovës.

Në vend që Komisioni t’i rekomandonte për votim 5 kërkesat origjinale të qytetarëve nënshkrues, i ndryshoi ato, dhe formuloi rekomandime që nuk kanë të bëjnë asgjë me kërkesat burimore të peticionit. Dy prej kërkesave bazike të peticionit ishin: anulimi i vendimit të ZRRE-së së vitit të kaluar për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, si dhe shkarkimi i bordit të papërgjegjshëm treanëtarësh të këtij institucioni që është shitur te privatizuesi i KEDS-it. ZRRE-ja me këto vendime nuk e ka mbrojtur interesin qytetar, por ka shërbyer si mekanizëm për profit të shpejtë milionësh të kompanisë private në kurriz të mirëqenies së qytetarëve. Këto dy kërkesa fare nuk figurojnë në rekomandimet e rishkruara të Komisionit.

EkoHigjiena

Përmes këtij veprimi Komisioni përkatës parlamentar ka tejkaluar kompetencat e veta duke bërë shkelje të papranueshme. Ky Komision parlamentar duhet të shqyrtoj peticione, e jo të tjetërsojë peticione. Qytetarët e dinë fare mirë çka kanë nënshkruar dhe janë plotësisht të vetëdijshëm për kërkesat e drejta. Komisioni ose duhet t’i qesë këto kërkesa në votim, ose t’i hedh poshtë ato, nëse është kundër interes qytetar. Por jo t’i riinterpretojë kërkesat, duke i shtrembëruar ato në thelb, aq sa t’ua humb fare kuptimin.

Për nga definicioni Kuvendi i Republikës është institucioni më i lartë në vend i përfaqësimit të interesave shoqërore e popullore. Por sot mund të themi se pamë konkretisht shkeljen e përfaqësimit të interesave qytetare në këtë institucion.

Peticioni me 33 mijë nënshkrime i organizuar nga Koalicioni i Qytetarëve konsumatorë, Sindikatave dhe Organizatave Joqeveritare ‘Kundër rritjes së Çmimit të Energjisë Elektrike nga ZRRE’ iu paraqit Kuvendin në këtë formë e përmbajtje:

Kërkojmë nga Kuvendi i Kosovës që:

1) Të rekomandoj që Zyra e Rregullatorit për Energji – ZRRE të anuloj Vendimin V_645_2014 e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë të datës 29 gusht 2014, sidomos duke njohur faktin që rrethanat e jashtëzakonshme (me rastin e shpërthimit në Kosovën A) që u përdoren si arsyetim për rritjen e çmimit të energjisë kanë kaluar;

2) Të kërkon shkarkimin e anëtareve të Bordit të ZRRE-se, duke rikujtuar dështimin e këtyre të fundit që të mbrojnë interesin publik të qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe të ketë parasysh: a. Mos marrjen për bazë të gjendjes sociale dhe ekonomike të konsumatorëve me rastin e vendosjes së tarifave të reja, ashtu siç kërkohet me nenin 1 të Ligjit për ZRRE; b. Ndikimin politik të anëtarëve të Bordit, me ç’rast Bordi i ZRRE nuk ka marrë vendim për tarifat e energjisë para datës 31 mars 2014, atëherë kur kanë skaduar tarifat e energjisë, por duke marrë vendim menjëherë pas zgjedhjeve nacionale të 8 qershorit 2014;

3) Të obligoj Qeverinë që të sjellë në Kuvend propozimet për ndryshimin e Ligjit nr. 03/L-146 për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, ku do të largohej TVSh prej 16% nga fatura e energjisë elektrike;
4) Të anuloj vendimin e Kuvendit të Kosovës dhe të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për rentën prej 3 euro për ton qymyri të shfrytëzuar;

5) Të obligoj Qeverinë që të sjellë në Kuvend propozimet për ndryshimin e Ligjit Nr.03/L-185 për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, sipas së cilitdo të obligohet ZRRE të ndryshoj rregullat për vendosjen e çmimeve. Po ashtu, përmes këtij Ligjit të ri për ZRRE, Kuvendi duhet të obligojë Bordin e ZRRE që përveç ndryshimit të rregulloreve për vendosjen e çmimeve, të aprovoj një rregullore për mënyrën e përllogaritjes së gjendjes sociale dhe ekonomike të konsumatorëve të energjisë, ashtu siç kërkohet me nenin 1, pika 4, të Ligjit aktual për ZRRE.

Ne i mbështesim pa rezerva këto kërkesa dhe do të vijojmë aktivitetet në Kuvend e jashtë tij që këto kërkesa të përmbushen. Mosadresimi i kësaj çështje edhe këtë herë sigurisht që do të pasohet më protesta të konsumatorëve gjatë vjeshtës e dimrit dhe po ashtu papërgjegjshmëria e Zyrë së Rregullatorit do të ketë si rezultat një krizë të thellë energjitike në vitet e ardhshme.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.