Maturantët nga Kamenica nisen për në Stamboll
Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Komunën e Kamenicës, Selami Klaiqi, ka njoftuar se 24 maturantë, të cilët kanë arritur sukses të shkëlqyer me notë mesatare mbi 4.7 dhe kanë rezultuar të suksesshëm në testin e maturës, sot janë nisur për në Stamboll në kuadër të projektit “Pako Matura EuroTrip”.
“Maturantët do të qëndrojnë për tri ditë në Stamboll, ku do të kenë mundësi të vizitojnë vende me rëndësi kulturore dhe historike, si dhe të përjetojnë aktivitete të ndryshme edukative dhe rekreative”, ka thënë drejtori Klaiqi, transmeton 2LONLINE.
Ky organizim realizohet nën patronatin e Kryetarit të Komunës, Kadri Rahimaj, si formë vlerësimi dhe motivimi për nxënësit më të dalluar të komunës.
Sipas Drejtorisë së Arsimit, ky aktivitet synon të shpërblejë përkushtimin dhe suksesin e maturantëve, duke iu ofruar atyre mundësi për përvoja të reja edukative dhe kulturore. /2LONLINE/
