DYLON

Maturantët e Shkollës së Mesme Ekonomike “Marin Barleti” vizituan Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan

Maturantët e Shkollës së Mesme Ekonomike “Marin Barleti” vizituan Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan
Avatar photo Redaksia

Maturantët e Shkollës së Mesme Ekonomike “Marin Barleti” në Gjilan, të shoqëruar nga profesorët e tyre, kanë realizuar një vizitë studimore në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, me qëllim që të njihen më nga afër me ofertën akademike dhe mundësitë që ofron ky institucion i arsimit të lartë.

Gjatë kësaj vizite, nxënësit janë pritur në një takim të veçantë nga profesorët e universitetit, përkatësisht nga Fakulteti i Shkencave Sociale. Në këtë takim, maturantët janë informuar në mënyrë të detajuar për programet studimore që ofron universiteti, strukturën e studimeve, si dhe për perspektivat që këto programe ofrojnë për zhvillimin profesional të studentëve.

EkoHigjiena

Maturantët kanë pasur mundësinë të zhvillojnë një vizitë në ambientet universitare. Ata vizituan sallat moderne të mësimit, bibliotekën universitare, amfiteatrot, laboratorët, si dhe hapësirat e tjera përcjellëse që janë në shërbim të studentëve. Kjo u ka mundësuar atyre të krijojnë një vizion më të qartë për jetën studentore dhe kushtet e studimit në këtë universitet.

Prof. Ass. Dr. Avni Rudaku i njoftoi maturantët më në detaje lidhur me cilësinë e programeve studimore, kohëzgjatjen e studimeve në nivelin bachelor e master, si dhe mundësitë që universiteti ofron për bursa, mobilitete ndërkombëtare, vizita studimore dhe pjesëmarrje në aktivitete të ndryshme akademike e shkencore.

Po ashtu, gjatë bashkëbisedimit, maturantët patën rastin të parashtrojnë pyetje të ndryshme dhe të marrin përgjigje konkrete nga stafi akademik, duke fituar kështu informacione të vlefshme për orientimin e tyre në zgjedhjen e drejtimit të studimeve të ardhshme.

Kjo vizitë u ndihmon maturantëve në marrjen e vendimeve për të ardhmen e tyre akademike dhe profesionale, duke i afruar më shumë me realitetin universitar. /2LONLINE/