DYLON

Matoshi: “Krivareka” dhe Lumi i “Hogoshtit” duhet të përfshihen në pastrimin e shtratit të Lumit “Morava”

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Në Komunën e Gjilanit, organizuar nga Agjensioni për Zhvillim Rajonal – Lindje dhe në financim të zyrës së BE-së në Kosovë, u mbajtë tryezë e rrumbullakët lidhur me modalitetet e financimit të projektit rajonal “Morava”, i cili projekt brenda territorit të Republikës së Kosovës, ka një gjatësi prej 50 kilometra.

Mbështetje këtij projekti në emër të Komunës së Kamenicës i ka dhënë Nënkryetari Fatmir Matoshi. “Komuna e Kamenicës e mbështet realizimin e projektit për pastrimin e shtratit të lumit “Morava e Binqës” dhe është nënshkruese e kërkesës së përbashkët të gjashtë komunave. Ne jemi të vetdijshëm se sa dëme i shkakton ekonomive familjare dhe rajonit në përgjithësi dalja e këtij lumi nga shtrati, por ne kërkojmë që në këtë projekt të përfshihen edhe dy degët e lumit “Morava e Binqës”, e që janë në teritorin e Kamenicës. Pastrimi i pjeshëm i shtratin të lumit të Hogoshit dhe lumit “Krivareka” që kalon nëpër qytet dhe fshatrat Berivojcë, Koretin dhe Topanicë i jep kuptimin e plotë këtij projekti dhe ne dëshirojmë që këto dy degë të jenë të përfshira në projekt” ka thënë Nënkryetari Matoshi.

EkoHigjiena

Në fjalën e tij prej nikoqiri, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se lumi “Morava” nuk është vetëm rregullim i lumit por edhe shumë më tepër duke ndikuar në përmirësim të kushteve të jetës dhe sigurisë së qytetarëve. “Investimi në lumin “Morava”, pos shtratit, është investim që përfshinë në vete edhe aspektin e ambientit më të pastër, sigurisë më të madhe për qytetarët, garancionin për tokat bujqësore dhe ekonomitë familjare në përgjithësi. Sot kemi një shtrat të lumit të degraduar. Gjendja e njejtë është në shumë lumënjë të Kosovës. Por nga ky degradim në këtë rast ne kemi problem të shumta gjatë reshjeve më të mëdha të shiut, duke u shkaktuar vërshime përgjatë gjithë pjesës kah kalon ky lum”, ka thënë kryetari Haziri.
Ndërkaq, shefi i zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë, Christof Stock, ka thënë se ky është një projekt i cili është përgatitur sipas rregullave të Bashkimit Europian.

“Projekti i rregullimit të shtratit të lumit “Morava e Binçës”, prek gjashtë Komuna të këtij regjioni. Gjendja në të cilin është ky lumë është jashtzakonishtë e rëndë. Pastrimi i tij nuk është bërë prej disa dekadash, dhe sot në të gjejmë papastërti shumë të mëdha që kërkojnë intervenim sa më të shpejtë. Ndërsa projekti që është përgatitur është në bazë të standarteve Evropiane. Sipas përllogaritjeve fillestare ky projekt do të kushtoj nga 10.5 milionë deri në 11 milionë euro dhe në këtë fazë KE, nuk ka fond të ndarë për të investuar në këtë projekt, por duhet gjetur donator, e pse jo edhe bashkëfinancim të këtij projekti jetik për këtë pjesë të Kosovës”, ka thënë në fjalën e tij, Stock.

Kurse, prezantimin detaj të projektit e ka bërë kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili ka bërë përmbledhjen, detajet dhe sfidat që janë gjatë realizimit të këtij projekti. Ndryshe, në këtë takim të pranishëm ishin kryetarët e këtyre Komunave të lindjes, zëvendësministri i Ministrisë së Ambientit, dhe përfaqësues të shumtë nga niveli lokal dhe ai qendror i fushës së ujrave./2L ONLINE/