/2L ONLINE/ – Kreu i Aleancës Kosova e Re (AKR), Dega në Kamenicë, njëherësh nënkryetar i Komunës së Kamenicës, Fatmir Matoshi e vlerëson pozitivisht bashkëqeverisjen në këtë komunë, vlerëson konstruktive edhe rolin e opozitës , ndërsa adreson kritika në adresë të qeverisë qendrore që nuk po e mbështetë këtë komunë.
Matoshi thotë për Portalin 2L ONLINE, se suksesi i kësaj bashkëqeverisje është transparenca e cila e karakterizon, efikasiteti në punët e sektorëve të ndryshëm, siç është Qendra për shërbime ndaj qytetarëve, ofiqaria dhe sektorë të tjerë, por, mbetet ende shumë për të bërë që kjo të shtrihet edhe në sektorë të tjerë.
“Komuna ka dëshmuar se edhe me pak mjete për investime kapitale, mund të arrijë të përcaktoj prioritetet ashtu siç duhet në sferën e infrastrukturës, dhe jemi në realizim të shumë projekteve kapitale. Kamenica edhe këto vite po dëshmohet se nuk po trajtohet si duhet nga Qeveria e Kosovës dhe aq më pak edhe nga Kuvendi ku nuk kemi asnjë deputet të komunës sonë dhe nuk kemi as propozime për projekte nga deputetet e partive në koalicion në Qeverinë e Kosovës”, thotë Matoshi.
Ndërsa, duke folur për opozitën, për kritikat e saja, në adresë të pushtetit, nënkryetari Matoshi thotë se opozita në Kamenicë deri më tash ka qenë aktive në Kuvendin Komunal, dhe ka mbështetur gjithashtu propozimet e ekzekutivit për projekte të ndryshme, por kohë pas kohe edhe ka bërë ndonjë vërejtje.
“Nuk kemi pasur ndonjë rast kur kritikat kanë qenë të mëdha. Kemi pasur një rast të tentimit për të bojkotuar kuvendin në një mbledhje, por edhe në atë rast katër asambleistë të opozitës kanë marrë pjesë dhe kanë votuar në favor të buxhetit për 2016. Dihet se në opozitë në Kamenicë është LDK-ja, dhe dy asambleist të partive të vogëla VV dhe PD”, thotë Matoshi.
Por, sië thotë ai, LDK-ja, opozitare në Kamenicë, ka rastin që të kujdeset gjithashtu për të mirën e komunës duke qenë se udhëheq me Qeverinë e Kosovës dhe mund të jap kontributin e vet.
“Ata aktualisht janë në opozitë, por, Kamenica na takon të gjithëve dhe duhet që secili prej nesh të angazhohet maksimalisht për të mirën e qytetarëve të saj”, thotë tutje Matoshi i AKR-së.
E, kur jemi te subjekti i tij, ai thotë se koalicioni i AKR-së me PDK-në është marrëveshje politike e arritur pas përfundimit të rundit të parë të zgjedhjeve në vitin 2013. Marrëveshja ka përcaktuar qartë edhe obligimet e secilës palë nënshkruese dhe pas nënshkrimit ne kemi vazhduar me fushatën, duke kërkuar besimin e elektoratit për përgjegjësitë që morëm pas 1 dhjetorit 2013. Koalicioni sa i përket anës politike të tij është shumë i qëndrueshëm dhe stabil.
“AKR sipas marrëveshjes së arritur udhëheq me katër drejtori komunale dhe me pozitën e nënkryetarit të komunës. Ne normalisht si subjekt politik nuk udhëheqim me komunën, sepse kryetari i komunës është i një partie tjetër, por kemi qenë dhe jemi edhe më tutje të gatshëm që të ndihmojmë dhe të japim kontributin tonë kudo që jemi të thirrur ta bëjmë këtë”, ka thënë Fatmir Matoshi, kryetari i AKR-së, Dega në Kamenicë, njëherësh nënkryetar i Komunës, gjatë një bisede të shkurtër për Portalin 2LONLINE.com. /2L ONLINE/