(2LONLINE) – Me rastin e hapjes së manifestimit kulturor “Lulëkuqet e Prillit 2014”, në shtëpinë e kulturës ”Isa Kastrati” nën patronatin e Kryetarit të Komunës Begzad Sinani , u mbajt akademi përkujtimore për dëshmorët e Betejës së Marecit.Në fjalën hapëse Nënkryetari i Komunës së Kamenicës Fatmir Matoshi, duke vlerësuar lart veprën e dëshmorëve të kombit tha “Historia e kombit tonë është histori e dëshmorëve të kombit. Po ia hoqe historisë dëshmorët, nuk mbetet pothuajse asgjë. Pa dëshmorë, e humbasim historinë, dhe, për pasojë, edhe ardhmërinë. Politikanët prijnë veçse teknikisht.
Dëshmorët e kombit janë udhëheqësit e vërtetë politikë. Ata fizikisht kanë pushuar së qeni në të kaluarën, porse politikisht janë të gjallë edhe atje ku ne s’kemi mbërritur ende: në të ardhmen. Pra, dëshmorët nuk janë pas nesh, por para nesh. Nuk i kemi lënë prapa, por i ndjekim nga pas. E kaluara i përket historisë, por historia nuk i përket vetëm të kaluarës. Te dëshmorët e kombit, vepra e tyre gjithsesi e mbijeton jetën e tyre. Dëshmorët nuk nderohen vetëm duke iu ngritë varre e përmendore. Dëshmorët nderohen kur nderohet qëllimi dhe ëndrra e tyre. Dëshmorët nderohen kur e çojmë më tej luftën e tyre. Dëshmorët nderohen jo vetëm kur i kujtojmë, por kur na kujtojnë se çka duhet të bëjmë, kur na kujtojnë se sakrifica na takon edhe ne.” tha Matoshi.
Drejtoresha e Kulturës, Venera Dërmaku – Rexha duke përshëndetur të pranishmit tha” Dëshmorët ishin dhe janë motivi ynë kryesor për të shënuar përparime dhe suksese në çdo fushë të jetës. Me rastin e 15 vjetorit të Betejës së Marecit në ditët në vazhdim kemi organizuar një program të pasur kulturoro-artistik, me shfaqje të komedive, dramave, mbremje rapsodike, promovime librash ku ju ftoj të gjithëve që t`I përcilleni këto aktivitete:” Tha drejtoresha Venera Dërmaku – Rexha.
Milaim Limani, kryetar I OVL të UÇK-së në fjalën e tij përshëndetëse tha ”Ne sot po mbajmë këtë akademi për të kujtuar një lavdi të pashoqe të shokëve tanë, bijëve tuaj dhe të nderit të kombit në luftë për liri dhe pavarësi. Është e vërtetë se këta njerëz nuk kanë ditur të flasin shumë por kanë punuar me një përkushtim që ne sot të gëzojmë lirinë dhe të përkujtojmë me pietet gjakun e tyre të dhënë për liri” tha midis tjerash Milaim Limani.
Deputeti I Kuvendit të Kosovës Zenun Pajaziti, shprehu kënaqësinë që ndodhej në këtë akademi përkujtimore për betejën e Marecit. “ Sa herë kujtojmë dëshmorët, kujtojmë amanetin e tyre. Përgjegjësia jonë si institucione është shumë e madhe sepse dëshmorët ndriqojnë rrugën tonë para nesh. Kemi zbraztësirë për mungesën e tyre fizike por edhe krenari për veprën e kujtimin për ta” tha mes tjerash deputeti Zenun Pajaziti.
Në këtë Akademi u përkujtua edhe veprimtarja e dëshmorja Hanumshahe Abdullahu – Nushi. Manifestimi “Lulëkuqet e Prillit 2014” vazhdon me mbrëmjen e rapsodëve./2lonline/