Ngjarjet e fundit në Preshevë kanë lëkundur themelet e kësaj popullate e cila është e pafuqishme që të artikulojë zërin e saj për të drejtat e saj politike. Vendimi i Qeverisë së Serbisë mbi shpërbërjen e Kuvendit Komunal të Komunës së Preshevës dhe emërimi i Organit të Përkohshëm, është me qëllime të qarta politike antishqiptare dhe për të treguar se shteti serb me urrejtjen që ka ndaj shqiptarëve të këtyre komunave merr vendime edhe atë në forma jodemokratike dhe në kundërshtim me vullnetin e shumicës së subjekteve politike shqiptare.
Valon Jashari:
Duhet konsideruar në rend të parë se asnjë nga subjektet politike të Preshevës as për së afërmi nuk kontribuojnë në dobi të popullatës shqiptare dhe për më tepër as që janë të unifikuara për çështjet krucial. Nuk doja që të ndajë lot krokodili me disa pseudo intelektual e analistë shqiptarë si dhe disa subjekte politike të Preshevës në dobi të ish-kryetares së shkarkuar.
Disa thurnin vargje për ish-kryetaren e parë femër shqiptare në Preshevë gjë që duhet çmuar këtë simbolik, por se i vunë edhe epitete të mëdha si “Hillary Clinton” e Preshevës shpesh herë të bënë edhe të nevrikosesh me vetveten si qytetar se deri kur me këso injorancash dhe epitet të mëdha kurse realiteti politik është në skaj të një ekzodi të spastrimit të asaj popullate shqiptare. Po të mbash epitetin e një gruaje si Hillary Clinton në rend të parë duhesh që atë vend ta bësh “Tokë të premtuar”.
Të jesh Hillary Clinton e Preshevës do të thotë të jesh një grua e guximshme që vlerat e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut ti promovosh pa asnjë hezitim e frikë, që të kemi ato vlera demokratike që ka promovuar zonja Clinton, që të kemi lirit elementare politike që i takojnë çdo shoqërie demokratik. Një Hillary Clinton nuk mundet të qëndroj prapa sedrës së Riza Halimit aq me pak një tutore e tij, dhe as që do të vjen në shprehej që t’i takojë një subjekti politik siç është PVD-ja e cila plot mbi 25 vite është bashkëfajtore e sundimit të gjatë e të egër serb në këtë rajon shqiptarë.
Këtu nuk po shfajësoj aspak as PDSH, BDL, UDSH, si dhe APN, pasi si njëra si tjetra siç thotë populli “merre njërën mëshoj tjetrës”, pasi që janë bashkëfajtore për këtë gjendje të mjerueshme politike.
Sjellja e neo-otomanistit Shqiprim Arifi në Organin e Përkohshëm të Komunës së Preshevës, nga qeveria serbe tregon më së miri se për momentin është më i miri për qeverinë e Serbisë dhe se është personi më adekuat për të zbatuar politikën antishqiptare. Ky erdoganist i vogël që gjatë qeverisjes së tij me kabinetin e tij më shumë rrinin në Turqi dhe shëtitshin rrugëve të Stambollit dhe të Beogradit se sa merreshin me çështjen shqiptare.
Fajtor për sjelljen e neo-otmanistit Shqiprim Arifi në Organin e Përkohshëm është shteti serb që e projektoi me disa ish-asambleistë komunal si dhe me partit e tjera shqiptare, por këtu nuk duhet përjashtuar se iu dha një përkrahje edhe nga Prishtina. Këtu nuk do ti falej gabimi që Milaim Zeka kohë më parë ia dha përkrahjen në mediumin publik në RTK në emisionin e tij, ku e cilësonte si person që shteti serb po ia ka frikën ardhjes në pushtet lokal Shqiprim Arifit, gjë që koha e dëshmojë se vet shteti serb e solli në pushtet.
Duke pasur parasysh se APN është me mision special në Kosovë Lindore gjegjësisht në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegj, si një instrument për realizimin e politikave të qeverisë së Serbisë, atë duke infiltruar me petkun religjioz.
Në këto rrethana duhet urgjentisht partitë e tjera politike të unifikohen dhe të ngritën në protesta kundër vendimeve të padrejta të qeverisë serbe, dhe të tregojnë vendosmëri politike nëse qeveria serbe nuk e tërheq vendimin që të gjitha subjektet politike duhet të bojkotojnë zgjedhjet dhe duhet shqyrtuar mundësin e shkuarjes në një paralelizëm të pushtetit lokal duke krijuar institucionet lokale të pavarura nga qeveria serbe.
Konsultimi me Prishtinën dhe veçanërisht me Tiranën është i domosdoshëm në këto rrethana.