Masakra e Reçakut, vulë e krimit serb
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka shkruar në profilin e tij në “Facebook”, se më 15 janar të vitit 1999 forcat ushtarake e policore serbe vranë e masakruan 43 civilë shqiptarë, burra e gra, pleq e fëmijë, banorë të fshatit Reçak të Komunës së Shtimës.
Ai ka thënë se ky krim kundër njerëzimit, i përhapur me shpejtësi nëpërmjet medieve të guximshme ndërkombëtare, alarmoi fuqishëm botën demokratike amerikane dhe evropiane për tmerrin dhe gjenocidin që po ushtrohej ndaj civilëve shqiptarë dhe shënoi kthesë të fortë historike për Kosovën dhe të ardhmen e saj. “Vitet, dekadat, madje as shekujt nuk do të mund ta shlyejnë nga kujtesa historike, kombëtare dhe ndërkombëtare, masakrën e Reçakut, vulën e krimit të barbarisë serbe ndaj popullit shqiptar. Përkujtimi i saj, nderimi i të rënëve dhe përkujdesja ndaj familjeve të tyre, paraqet në radhë të parë vlerësim, nderim dhe respekt ndaj lirisë që gëzojmë tani si dhe na motivon në angazhimet tona, si qytetarë dhe institucione, për një të ardhme edhe më dinjitoze të vendit dhe kombit tonë”, ka thënë Haliti.
