Marrin përvojën franceze se si të menaxhohen rastet e dhunës
/2L ONLINE/ – Dhuna mund të jetë e natyrave të ndryshme, ajo pos në shoqëri shfaqet edhe nëpër shkolla, kurse nuk janë të rralla rastet kur ndaj nxënësve ushtrohet edhe presion psikologjik. Ka shtete që në mënyrë institucionale trajtojnë këto raste. Lëvizja Kundër Dhunës (MAN), shoqatë kjo që vepron në Francë, ka vite të tëra që në këtë shtet merret me këtë problematikë, kurse përvojat nga atje ka disa vite që i sjell në Gjilan.
Edhe sivjet, anëtarë të kësaj shoqate kanë mbajtur trajnime në Gjilan. Gjashtëmbëdhjetë pjesëmarrës, mësimdhënës, studentë e nxënës, kanë marrë përvojat e miqve francezë mbi metodologjitë e reja se si të zgjidhen konfliktet.
Siç thekson Jean Marc Muller (Zhan Mark Myler), trajnuesit Marie Harmi (Mari Armi), Anne Pernoux (An Pernu) dhe Jean-Claude Moog (Zhan Klod Mog), mësimdhënës dhe edukatorë nga Kolmari i Francës, anëtarë të Lëvizjes për një Alternativë kundër Dhunës, kanë pasur për qëllim që para pjesëmarrësve të trajnimit të shpjegojnë mënyra dhe metoda të zgjidhjes e rregullimit të konflikteve në mes të rriturve e të rinjve, mësimdhënësve e nxënësve në shkolla. Ai ka thënë se pjesëmarrësit ishin një grup i formuar nga mësimdhënësit, studentët e nxënësit.
“Ky trajnim gjithashtu është një mundësi për të bërë më të përafërta Kosovën dhe Francën”, ka thënë Jean Marc Muller.
Edhe trajnuesit tjerë nga Franca, në ligjëratat e tyre dhe gjatë punës praktike me pjesëmarrës kanë theksuar se kanë shpalosur përvojat e tyre se si duhet vepruar në rastet e dhunës në meset shkollore dhe kanë përdorur analiza të konfliktit dhe metodat e zgjidhjes dhe po punohet në fazën e metodologjisë se si të zgjidhen konfliktet. Ai ka thënë se secili nga pjesëmarrësit jep propozimet për të modifikuar zgjidhjen, qofshin ato në kuadër të institucione apo me metoda pedagogjike.
Tahir Dalipi, një nga pjesëmarrësit në këtë trajnim, ka theksuar se ishte ky një trajnim me bukur shumë gjëra të ndryshme të trajtuara, po edhe të trajtuara dukshëm ndryshe nga se që jemi mësuar të shohim. Trajnerët ishin francezë.
“Kur ne rrëfejmë për problemet tona, na duket sikur jemi në botë njerëzit me më së shumti telashe, por kur nisin të vijnë edhe shembujt e ndodhive në Francë, që me gjasë nuk mungojnë as gjetiu, disi njeriu ndjehet më i lehtësuar, jo se të bën kënaqësi që edhe të tjerët kanë probleme, por se e shohim se ato nuk janë të pazgjidhshme dhe se nuk kufizohen në hapësirë, e as në kohë, mbase jo”, ka thënë Dalipi. /2L ONLINE/
