/2L ONLINE/ – Përfaqësuesit e Fondacionit Kosovë-Luksemburg, kanë nënshkruar sot edhe një marrëveshje bashkëpunimi me kryetarin e komunës së Vitisë Sokol Halitin, që ka të bëjë me çështje ambientale. Në bazë të kësaj marrëveshje, Fondacioni Kosovë-Luksemburg dhe komuna e Vitisë, do të bashkëpunojnë në realizimin e projektit për pastrim të ambientit, me që rast parashihet edhe kyçja e një numri të punëtorëve për punësim të përkohshëm e të cilët i takojnë kategorisë së familjeve me gjendje të rëndë sociale.
Në bazë të kësaj marrëveshje, palët do të bashkë financojnë dhe punësojnë 45 punëtorë që i takojnë kategorisë me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale ,në dobi të komunitetit, për një periudhë të përkohshme sipas kushteve dhe afateve të përcaktuara në këtë kontratë.
Këtë marrëveshje bashkëpunimi e nënshkruan kryetari Sokol Haliti dhe përfaqësuesi i Foncacionit Kosovë-Luksemburg Fisnik Beqiri. Koordinatori komunal për projektet me Fondacionin Kosovë Luksemburg Veton Ademi, ka njoftuar se përmes këtij projekti parashihet që Komuna e Vitisë në bashkëpunim me Fondacionin Kosovë- Luxembourg, të angazhojnë me kontratë një numër të punëtorëve të cilët do te jenë në mbikëqyrje të plot të Drejtorisë Komunale për Shërbime Publike.
“Ky projekt parasheh që fillimisht të bëhet pastrimi i plot të deponive të egra si dhe të rregulloi dhe mirëmbajë hapësirat publike, shtretërve të lumenjve dhe varrezat brenda qytetit të Vitisë dhe lokaliteteve përreth. Do të punohet në 30 vendbanime, ku do bëhet pastrimi, rregullimi dhe mirëmbajtja e gjitha hapësirave publike përfshirë këtu edhe varrezat, stadiumet sportive, parqet , përroskave dhe shtratin e lumit Morava, ka thënë Ademi. /2L ONLINE/