DYLON

Marrëveshja shumë e rrezikshme për sigurinë e rajonit!

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Lëvizja për Integrim e Luginës së Preshevës vlerëson se Marrëveshja për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është edhe një nga marrëveshjet joserioze, të dëmshme e në kurriz të shqiptarëve. Kjo marrëveshje është edhe një hap drejt bosnjëzimit të Kosovës dhe delegjitimimit të shtetit të Kosovës dhe luftës, synimeve dhe aspiratave të shqiptarëve për liri dhe pavarësi kombëtare.

Fatmir Arifi, kryetar, thotë se Lëvizja për Integrim e Luginës së Preshevës e konsideron këtë marrëveshje shumë të rrezikshme për sigurinë e rajonit dhe për këtë përgjegjës kryesorë janë të gjithë ata, që e sollën krijimin e asociacionit: përfaqësuesit e BE-së, përfaqësuesit e Kosovës dhe ata të Serbisë.

EkoHigjiena

Sipas tij, asociacioni është zhvleftësim i Pakos së Ahtisarit, që nënkupton zhvleftësim të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës dhe të gjitha dokumenteve të tjera. Tani e tutje, kjo marrëveshje nuk e obligon asnjërën palë për t’iu përmbajtur garancioneve ndërkombëtare për privilegjet e komuniteteve dhe krijimin e entiteteve të reja komunale në Kosovë. Ky asociacion e rrëzon tërë sistemin juridik dhe të sigurisë në Kosovë.

Asociacioni do të krijojë kaos me efekt domino dhe në rrethana të tilla aktivizohen të gjitha pretendimet e grupeve për avancimin e të drejtave të njeriut dhe të ndryshimit të gjendjes administrative dhe territoriale.

Lëvizja për Integrim e Luginës së Preshevës vlerëson se BE ka imponuar zgjidhje të pabalancuar në raport me shqiptarët. Andaj, Lëvizja për Integrim e Luginës se Preshevës vlerëson, se:

– Është padrejtësi që shqiptarëve të Luginës së Preshevës t’u mohohen të drejtat e tyre, përderisa pakicës serbe në Kosovë i njihet e drejta edhe për formimin e entitetit politik;

– Është padrejtësi nga ana e BE-së, e cila shpërblen serbët e koncentruar në veri të Kosovës, e të cilët ishin implementues të planeve të Millosheviqit;

– Është padrejtësi nga ana e BE-së, që për shkak të ekuilibrave gjeopolitikë në rajon, duke synuar që ta tërheqin Serbinë në orbitën e saj, po i bashkohet shtypjes dhe shpartallimit të shqiptarëve, e në veçanti Kosovës.

Lëvizja për Integrim e Luginës së Preshevës, duke analizuar sjelljet agresive të faktorëve rajonalë në raport me hapësirën shqiptare, është e detyruar të veprojë:

– Në mobilizimin e tërë faktorit shqiptar për formimin e Kuvendit Kombëtar të Luginës së Preshevës, i cili do të shpallë autonomi dinamike territoriale të Luginës së Preshevës.

Fatmir Arifi, kreu i Lëvizjes për Integrim e Luginës së Preshevës thotë tutje se faktori shqiptar kudo që ndodhet duhet ta imponojë nevojën e bashkëveprimit, të gjithëpërfshirjes dhe jetësimin e të drejtës së shqiptarëve për t’u integruar brenda vetes dhe së bashku në BE.

Ndërkaq ai ndërkombëtar në veçanti, duhet të jetë pararojë për jetësimin e menjëhershëm të të drejtës së shqiptarëve, që jetojnë në vazhdimësi në trojet e tyre historikisht kompakte, për organizim, bashkim dhe vetëvendosje, në bazë të parimit të reciprocitetit dhe parimeve të tjera të pranuara ndërkombëtarisht. /2L ONLINE/