Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar një bisedë telefonike me përfaqësuesen e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Baroneshën Ashton. Thaçi nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, ka bërë të ditur se me Ashtonin ka biseduar për rrjedhat e fundit në Kosovë dhe rajon.
“Vlerësuam lart fillimin e funksionalizimit të sistemit doganor të Republikës së Kosovës edhe në veri të Mitrovicës. Gjithashtu vlerësuam si mjaft inkurajues fillimin e integrimit në Policinë e Kosovë të pjesëtarëve të komunitetit serb që jetojnë në Veri të Mitrovicës”, shkruan ai.
”U dakorduam që nga fillimi vitit të ri të intensifikohet angazhimi për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë, si parakusht për të ardhmen evropiane të Kosovës, Serbisë dhe rajonit”, thekson Thaçi në “Facebook”.