Maqedonia shtet në sprovë para botës
SHEFIK SHKODRA
/2L ONLINE/ – Mos me u habitur asgjë sot. Krejt është e mundur edhe për atë që nuk mund ta mendosh. Njeriu nuk e di, a je ëndërr a zhgjëndërr. Botë cubash ballkanike! Sot frikacaku është guximtar. I ligu është bërë i fortë. Panlaveri kapitalist. Sot, i pabesi është krenar. Truthari i mençur. Vrasësi i fëmijëve dhe grave trim. Evropa kot po flasin, kot po orvaten, së paku politikisht, kështu shihen se po mundohen të fshijnë diç jo njerëzore te Ballkani Perëndimor. Po çka mund të bëjnë…? është një pyetje shumë e vështirë ndoshta. Me komitët e harruar gati dy shekuj, tash të shpifur pas gjithaq periudhash, pas gjithaq kryengritjesh e pusish të pa besëve. Në vend se të komunikohet si duhet njerëzisht, dalin dhe bëjnë rrënime, aty e atje ku munden. Elementi sllav me barbaritë e tyre po e rikthen kohën mbrapshtë. Po e ndërsen të keqen në këto mese. Duke shikuar pamje të lemerishme, na duket se jemi duke lexuar histori të shekullit XIX.
Prijatarë të zgjedhur për shtet-ndërtim paqeje apo banda huliganësh
Një zot shtëpie ta zbardhë fytyrën, po dhe i njëjti të bën gazin e botës. Dikush është i përgatitur për veprime të liga, ngase vetë janë njerëz të ligj. Habia më e madhe edhe për ata është se si kanë arritur në pushtet. Diçka që nuk mund t’i besojnë as vetës. Çakallet nuk formojnë shtet për shoqëri e popull. Krijojnë afera e fushëveprim për interesa personale. Për një minutë rrëfejnë disa variante rreth një ngjarje. Për një kohë relativisht të shkurtër ndërrohen planifikimet, ndërrohen vendimet, ligjet, dokumente, fjalët. Për kë? Për atë që udhëheq dhe sundon. Kështu janë ngulitur një pjesë e madhe e këtyre tipave në pjesët ballkanike. Madje, aty e atje ku është puna më delikate. Për një orë janë demokrat me fjalë, për njëzet e tri të tjera janë “kush kah donë”, e vepra me vullnetin e dëshirën e tyre janë urrejtja e tirania. Prej përrallave të gjyshërve të tyre – komitë, tash këta zënë vendin me një lëkurë tjetër – gangsterë. Kur nuk dinë edhe nuk donë, më lehtë bëhen ideolog me doktrina nacional-shoviniste se sa njerëz që do të shpëtonin shoqërinë, shtetin dhe gjithë rrethin. Kjo mënyrë është fshehja e fakteve për punët e gabuara të vetë atyre që po e quajnë veten liderë popullor. Po, të një grupi hajdutësh rreth vetes. Duken shumë të dobët në paraqitje e në komunikime edhe për të fshehur problemet, kultura e tyre është e mangë, për vendet ballkanike që janë shumë të dobëta, duke u marrë veç me urrejtje e luftëra. Këta popuj nuk do të duhej ti kishin prijësit aq të dobët. Aq intrigantë e aq, aq të pa ndjeshëm e impotentë ndaj çështjes qytetare. Dhe janë madje “rrush” me dije, po veç për interesa personale e të grupit. Shihet se si shpesh fshihen vetë pas incidenteve e ndodhive. Ndoshta, implikohen me dije e padije, madje shpikin afera e shfaqen me aktorë prej skene në skenë.
Maqedonia një ‘shtet karikaturë’
Krejt është e qartë. U bë shtet nga kush u bë e në cilën kohë. Maqedonia e sotme është vërtet një ‘shtet karikaturë’, ashtu e tha edhe njëri prej atyre analistëve, por është edhe oazë për alibi të tjerëve. E intrigave, e sprovave. E hakmarrjeve ndërnacionale. E pastrimeve etnike, etj. Nëse do të jetë edhe më shtet me vija të përcaktuara politike e gjeografike, atëherë është dashur të ketë udhëheqës me mend, pa urrejtje ndërnacionale si kusht i parë. Këta udhëheqës është dashur të shtrijnë një demokraci të lakmueshme për të gjitha nacionalitetet. Pa devijime në të drejtën qytetare e nacionale, përveç nëse këta politikanë e kanë marrë vesh më mirë se ne të tjerët se, Maqedonia si e tillë nuk mund të ngrihet në këmbë të veta. Se vërtet është e përkohshme si po veprojnë edhe ata vetë si udhëheqës. Për këtë ndoshta, po bëjmë mëkat, kur themi se, ata po gabojnë. Vetëm një është e qartë për të gjithë, qeverisje e shtetit të Maqedonisë me korrupsion, urrejtje nacionale e pabarazi në të gjitha fushat, shtet si i tillë nuk do të ekzistojë.
S’është strategji ndjekja e shqiptarëve
Rrebeshe armësh automatike, ato të arsenalit të rëndë nëpër shtëpitë e qytetarëve shqiptarë, si rasti i ditëve 9 e 10 maj në Kumanovë,nuk ka lidhje me strategjinë politike edhe për një diletant e lë më për një shoqëri që i thotë veti se ka një strukturë qeverisëse e institucionale shtetërore. Dikush thotë se, këtë e kanë ditur qe sa kohë dhe janë përcjellë grupet guerile shqiptare. Mirë. Po a e kanë ditur edhe shqiptarët që ndodhen në ato institucione me maqedonasit? Nëse po, atëherë çfarë iu desh ta lejonin këtë rrëmujë në mesin e qytetarëve të pafajshëm. Ku janë ata zëre që bashkë-qeverisin me maqedonasit? Nuk është e qartë çfarë është vlerësimi pozitiv pas vrasjes së gjithë atyre njerëzve, pas shkatërrimit të asaj pasurie, futjen e gjithë atij paniku te qytetarët.
Femra e ligë bën më shumë dy meshkuj të ligj
Më nevrik edhe sjellja e disa bashkëqytetarëve tanë. Nuk do të duhej ti interpretohej ngjarja në mënyra konvencionale. Po, këta udhëheqës maqedonas dhe jo vetëm ata, do të duhej që kësaj radhe ta paguajnë shtrenjtë krejt çka kanë bërë deri më tash. E këtë herë e kanë vulosur me ngjarjet në Kumanovë. Ata duhet të përgjigjeshin edhe para gjyqeve në instanca ndërkombëtare, por edhe para popullit të vet. Këta kanë rrezikuar edhe qytetarët dhe pasurinë e tyre pa qenë në dijeni fare për paradat e një polici-ushtrie pa kurrfarë strategjie. Më parë kryeministri po dhe gjithë qeveria e tyre pa lënë anash as bashkë-qeveritarët shqiptarë. Ajo krye-policia që do të duhet t’i jepej një burg prej dhjetë vjetësh më së paku, nuk do të kishte ngrënë bukë njëzet e katër orë diku tjetër. Po te ai kryeministri maqedonas (s’dua t’ia përmendi as emrin) e mirëseardhur, sepse kështu duhet vepruar kundër shqiptarëve. Ajo është një e gërditshme qenie njerëzore. Nuk ka në kokën e vet asnjë fije truri. Sistemi i saj nervor është robotik. Vetëm hije e stisur duket. Vokabulari i saj si prej një shovinisti nga monizmi. Çfarë strategjie ka përdorur ajo dhe rrethi i saj në kohë paqeje për bombardimin e qytetarëve shqiptarë! Çfarë e mendon ajo dhe të tjerët si ajo të ardhmen. Sigurisht, ajo dhe kolegët shovinistë, mendojnë gjithnjë me dorën e hekurt. Ani, e lumja ajo për mendtë e veta! Ndoshta ka të drejtë, s’e kanë dashur shqiptarët sa e si duhet. Edhe shumë çështje që e kanë nevrikosur këtë femër pa ndjenja. Po sikur kjo Jankulovska (?) ta kishte pasur familjen aty, pranë ku bombardonte?! E po t’i trembej nëna e saj, fëmija i saj?! Ndoshta s’ka pasur nënë fare, as fëmijë…Por tash ka fituar një famë të madhe, sidomos ndër shqiptarët kudo që janë. Strategjia e saj për siguri shtetërore doli shumë e veçantë nga këto anë tona. Ndoshta, të tillë strategji veprimi për siguri e ka pa diku në ndonjë shtet aziatik, apo edhe te fqinjët më të afërt, këtu në Ballkan. /2L ONLINE/
