Maqedonci: Shërbimi në uniformën e FSK-së është nder, privilegj dhe përgjegjësi ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj
Sot, në Kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj, gjenerata e parë e rekrutëve për vitin 2026 ka nisur stërvitjen bazë ushtarake, duke hedhur hapin e parë në rrugëtimin e tyre drejt shërbimit në ushtrinë tonë.
Ministri në detyrë i Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci ka bërë me dije se gjatë nëntë javëve të ardhshme, rekrutët do t’i nënshtrohen një programi intensiv trajnimi, përmes të cilit do të zhvillojnë aftësitë fizike, profesionale dhe ushtarake, si dhe disiplinën e përkushtimin që kërkon shërbimi ndaj atdheut.
Sipas tij, pas përfundimit me sukses të procesit të testimit dhe vlerësimit, 550 rekrutë janë përzgjedhur për të ndjekur këtë trajnim dhe, pas përfundimit të tij me sukses, do t’i bashkohen radhëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Rekrutëve tanë u dëshiroj shumë suksese në këtë rrugëtim të ri. Shërbimi në uniformën e FSK-së është nder, privilegj dhe mbi të gjitha përgjegjësi ndaj Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka thënë Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, /2LONLINE/
