Përderisa jemi në muajin e Ramazanit, në këtë muaj kur xhamitë tona frekuentohen më shumë se më parë, dhe, përderisa po dëgjojmë ligjëratat dhe emisionet televizive në lidhje me fenë, e shohim të domosdoshme të shkruajmë edhe këtë;
Ligjëruesit fetarë në Kosovë edhe më tutje vazhdojnë të jetë përsëritës të ligjëratave të njëjta që për dekada janë mbajtur nëpër xhamitë tona. Me gjithë kërkesat dhe nevojat e kohës për një ligjërim në përputhshmëri me dinamikat e kohës, ligjërimi fetar tek ne vazhdon të jetë i zbehët ndërsa ligjëruesit fetarë jo të papërgatitur sa duhet. Është koha që Bashkësia Islame e Kosovës të merret seriozisht me problemin e ligjërimit dhe të ligjëratave nëpër xhamitë tona.
Shkruan: Dr. Mustafa Bajrami
Sa i përket çështjes së leximit të Kuranit ekziston një rregull interesant i cili thotë se: Nëse librin e Allahut e lexojmë si të ishte roman, ai nuk ofron më shumë se sa një roman, por, nëse e lexojmë sepse është libër i Zotit, atëherë ai jep shumëçka. Nisur nga këtu, nëse i referohemi porosive të Jusuf el-Kardavit në lidhje me atë se çka duhet të dijë ligjëruesi fetar (Edukimi kulturorë i thirrësit, Furkan, Shkup 2002), del se një pjesë e hoxhallarëve janë shumë larg rregullave të ligjërimit të mirëfilltë fetarë.
Sipas el-Kardavit, ligjëruesi fetarë, para së gjithash duhet t’i posedojë tri cilësi kryesore: Një, të ketë fuqinë ndikuese që të jetë promotor i jetës shoqërore (kjo energji, sipas Kardavit fitohet me lexim të vazhdueshëm, dy, të jetë shembull moral për masën dhe, tre, të ketë kulturë të përgjithshme të njeh shkencat islame, të njeh historinë, gjuhën dhe letërsinë, të ketë njohuri mbi shkencat filozofike dhe natyrore, të njoh gjuhë të huaja si dhe të jetë në hap me kohën.
Që në fillim dua të jam i qartë: Sikur ta lexonin me përkushtim këtë libër të el-Kardavit, një pjesë e jo e vogël e hoxhallarëve do të ishin ndjerë keq të dilnin para xhematit apo para kamerave televizive. Andaj, identifikimi i fesë islame me interpretimet e cekëta që i dëgjojmë, është qëndrim i padrejtë dhe i gabueshëm. Ka dallime substanciale mes Islamit si fe dhe refreneve shterpe e të përsëritura për dekada nëpër xhamitë tona, dhe jo vetëm.
Përmbajtja e Islamit si fe hyjnore, e ruajtur nga gabimet dhe ndryshimet eventuale është thellësisht dhe përfundimisht e garantuar nga Zoti. Islami “flenë rehat” karshi përpjekjeve për ta vënë në dyshim rolin historik të tij nëpër kohë. Feja islame ka aftësinë për t’iu përshtatur të gjitha rrethanave ndërsa jetësimi dhe interpretimi i principeve të Islamit është i lënë në dorën e njeriut. Kërkesa jonë për qasje të reja nuk guxon të interpretohet si kërkesë për ndryshimin e fesë. Edhe pse Islami historik është pjesë e pandashme e jetës së shoqërive myslimane, në mes substancës së Islamit dhe interpretimeve që i bëhen atij ka dallime të mëdha.
Karakteristikë tjetër e veçantë e Islamit është të qenit promovues i vlerave të larta morale. Kur Islami nxitë të kemi mjekë, inxhinierë, mësues, politikanë, diplomatë, tregtarë e shumë të tjerë të suksesshëm, mbi të gjitha, atij i intereson morali dhe njerëzishmëria tek këta njerëz; mjekët të jenë dinjitozë, udhëheqësit t’i frikohet Zotit, mësuesit t’i përkushtohen punës sy tyre arsimore dhe edukative, politikanët të ndihmojnë qytetarin, diplomatët të ruajnë dinjitetin e shtetit, tregtarët të mos mashtrojnë, etj.
Kur themi se Islami nuk duhet të përzihet në punët e shtetit, kjo nuk nënkupton që udhëheqësit e shtetit dhe politikanët nuk duhet të jenë fetarë. Gjithashtu, kur themi se feja duhet të jetë e ndarë nga politika, kjo nuk nënkupton se politikanët nuk bënë të jetë fetarë. Feja ndihmon secilin njeri që e kupton drejt dhe që e praktikon ashtu siç duhet. Ndoshta sikur çdo fe tjetër, edhe Islami pretendon të mbledhë sa më shumë njerëz nën ombrellën e vet, por ama, për dallim nga disa fe të tjera, Islami nuk imponon përcaktimin fetarë. Nëse ndodhë të ketë imponime, ato bëhen nga njerëzit që nuk kuptojnë Islamin. Sipas Islamit imponimi është i ndaluar, si i tillë, sanksionohet rreptë nga Allahu i Madhërishëm.
Ligjëruesit fetarë duhet të shpjegojnë fenë si duhet, në të kundërtën, feja do të refuzohet. Ligjërimet duhet t’i përshkoj fryma e tolerancës, të mos jenë të rënda, të paqarta e as të frikshme. Në esencë, kultura islame është një pluralizëm i mendimeve dhe interpretimeve të ndryshme mes vete. Diversiteti është ngjyra më e bukur e Islamit që burimin e ka në Kuran. Diferencat që dalin përgjatë interpretimeve janë pasuri e fesë së Zotit, andaj, çdo përpjekje për t’i mënjanuar ato, konsiderohet cenim mbi thesarin e kulturës së Islamit.
Ligjëruesi fetar duhet të dallojë ligjërimet që i drejtohen zemrës së njeriut dhe kur i flitet arsyes së tij. Njeriu është qenie delikate dhe e ndjeshme ndaj mësimeve të fesë andaj duhet pasur kujdes. Është e moralshme, mbase e domosdoshme të çmohet individualiteti dhe personaliteti i njerëzve të cilët qëndrojnë para ligjeruesit. Disa ligjërues fetarë harrojnë rëndësinë e individit në shoqëri dhe të shoqërisë në Islam. Namazi i xhumasë në rrafshin lokal dhe haxhi në rrafshin ndërkombëtar janë dy evinemente të rëndësishme për Islamin.
Xhumaja, dita kur myslimanët së bashku falin namazin dhe dëgjojnë mesazhet e ligjëratës është thirrje për obligime të reja. Hytbeja si pjesë përbërëse e namazit të xhumasë është ligjërimi që i shtron problemet, që i shtjellon dhe që duhet t’i zgjidhë ato. Krahasojeni këtë përmbajtje dhe këtë mesazh të xhumasë me atë që ju lexues të nderuar dëgjoni nëpër xhamitë tona në ditën e xhuma. Në asnjë vend tjetër në Kuran nuk urdhërohet me “shpejtoni” sikur që bëhet për namazin e xhumasë. Ndodhë kjo për shkak të rëndësisë së mesazhit që jep namazi i xhumasë, e sidomos për shkak të rëndësisë së ligjëratës në ditën e xhuma. Në hytbe, ligjëruesi e ka për detyrë të promovojë rëndësinë dhe peshën e asaj që quhet shoqëri dhe obligimet e individëve që kanë në raport me shoqërinë ku jetojnë. Hytbeja nuk bënë të jetë e thatë sa rinia të del e zhgënjyer nga xhamia. Rinia ka nevojë të ndjejë se prijësit e tyre po merren me problemet e saj. Rinia e lënë në margjina nuk guxon të anashkalohet nga ligjëruesi fetarë në ditën e xhuma. Hytbeja, simboli i namazit të xhumasë është simbol i përbashkësisë sociale. Nëpërmes saj promovohet vlera e shoqërisë në Islam.
Për fat të keq, në mesin tonë ka ligjërues që ende nuk kanë kuptuar sa duhet rolin e hytbes. Ata, më tepër i kushtojnë rëndësi citateve në gjuhën arabe se sa përgatitjes së ligjëratës në gjuhën amtare. Ligjërata e ditës së premte duhet të jetë aktuale, të mos jetë për së tepërmi e fokusuar në të kaluarën. Ajo duhet të jetë mesazhi për të sotmen dhe këshilla për të nesërmen. Ligjëruesi duhet të përcjellë ngjarjet kryesore të javës dhe pastaj të përgatitë ligjëratë në lidhje me to. Ka raste kur ligjëruesit lexojnë hytbet e vjetra me vite dhe kështu irritojnë xhematin me ligjërata vazhdimisht të përsëritura. Dikush mund t’i rrijë karshi idesë sonë që nëpër xhamitë e vendit duhet të shpjegohet edhe historia jonë kombëtare. Edhe nëse kultura dhe civilizimi islam janë koloriteti tri ngjyrësh i tri kombeve më të mëdha islame, si, arabët, persianët dhe osmanlinjtë, historia jonë kombëtare ka shumë emra që i kanë kontribuar mozaikut të kulturës islame. Historia nuk është libër ku shkruhen vetëm emrat dhe ngjarjet e popujve të mëdhenj. Ajo duhet të shpjegohet ashtu që të mësojmë nga gabimet e së kaluarës dhe të mos i përsërisim më. Si është e mundur që kaq pak dhe kaq shtrembër njohim historinë tonë? Si është e mundur të jemi kaq të pasigurt në historinë dhe si po lejojmë të njollosen kaq shumë figurat e historisë sonë? Edhe Kurani është përplot me ngjarje historike, megjithatë, ato ngjarje aty nuk përmenden sa për të treguar histori, por, për të mësuar nga përvojat e së kaluarës dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.
Për fund, ligjëruesit fetarë duhet të jenë të vetëdijshëm se kanë një rol shumë të rëndësishëm në shoqëri. Për ta shpjeguar fenë drejtë, ata duhet të lexojnë së paku për aq sa porositë Kardaviu. E, për të qenë në hap me kohën, ata duhet të lexojnë sa më shumë. Përndryshe roli i ligjëruesve fetarë në shoqëri do të zbehet, ndërsa interesimi i xhematit për t’i dëgjuar ligjëratat nëpër xhamitë tona, do të humbet edhe më shumë.