Manastiri ‘Qeli’ (Burg) në Hajnoc
NGA TRASHËGIMIA KULTURORE E KAMENICËS
Manastiri ‘Qeli’ (Burg) në Hajnoc
Shkruan: Ma.sc. Merita Veseli Berisha, historiane, QRTK, Gjilan
Manastiri ‘Qeli’ (Burg), është me rëndësi të veçantë historike, arkitekturore e shpirtërore, i cili monument ka qenë dhe është objekt i disa hulumtimeve të pjesshme dhe të fragmentuara, të cilat kanë ofruar informacione të ndryshme.
Nisur nga hulumtimi i emërtimit dhe kohzgjatja e ekzistencës së banimit të fshatit Hajnoc, për herë të parë në dokumentet historike e gjejmë të përmendet emrin e këtij vendbanimi në “librin e borxhlinjve të tregtarit Mihail Lukarit të Novobërdës, në gjysmën e parë të shek. XV-të. Duke përmendur banorë të fshatit Hajnoc, na shfaqet dhe emërtimi ‘Hainouzi”.[1]
Ndërsa në “defterin turk të regjistrimit të kryefamiljarëve të kazasë së Novobërdës në fundshekullin e 15, emri i këtij katundi është shënuar në trajtën Hajnovça.
Dëshmia e parë e trajtës së sotme serbe Ajnovce rrjedh nga viti 1904 në një hartë austriake, ku është shënuar në trajtën Ajnevce, ndërsa në një hartë tjetër të vitit 1914 është shënuar si Hajnove. Në vitin 1915 emri i këtij katundi është shënuar si Ajnovce. Përndryshe, emërvendi Hajnovci/Hajnoc të komunës së Kamenicës sipas albanologut Skënder Gashi do të jetë me prejardhje sase.[2]
Po në këtë fshat, Hajnoc të Komunës së Kamenicës ndodhet ‘Manastiri Qeli (Burg)’, që daton nga mesjeta e hershme, ndërsa kisha e ngritur mbi këto gërmadha është e mesjetës së vonë.
Manastiri ‘Qeli’ (Burg), ndodhet në anën verilindore, jo larg qytetit të Kamenicës, në anën e djathtë të rrjedhës së Lumit të Shtrembur - Kriva Reka, ky monument i trashëgimisë kulturore bënë pjesë në kategorinë Trashëgimia arkeologjike – Monument/Ansambël.
Ky monument fitoi vlerë të lartë kulturore dhe historike kur gjatë punimeve të konservimit në vitet 1967/68, u zbuluan themelet e një bazilike bizantine më të vjetër me tre nefe, dimensionet e së cilës janë shumë më të mëdha dhe ngrihen nën muret e kishës ekzistuese të shekullit të 14-të.”[3]
Duhet theksuar se kishat me të vjetra janë bazilikat që janë të modeluara sipas bazilikave romake, e që kanë filluar të ndërtohen në shek e IV të erës sonë, ndryshe njihen si kisha paleokristiane. Zakonisht këto kisha ishin tri anijate (tre nefe), e që përbën një argument të rëndësishëm për praninë e hershme të manastireve në këtë hapësirë. E njejta na dëshmohet dhe nga fakti i emërtimit të kësaj hapësire nga vetë banorët e kësaj ane te ‘Kisha e Rimit’.[4]
Marija Birtaseviç në studimin e saj ‘Crkva Rećani Kod Ajnovaca – Kisha e Reçanit te Ajnovci’, në Buletinin e Muzeumit të Kosovës, trajton në mënyrë të qartë emërtimin e kishës, manastirit dhe lagjes ku ndodhet. “Kisha e quejtun Reçani gjindet te katundi Ajnovc, n’ish rrethin e Kamenicës. Sipas lagjës në të cilën gjindet e quejnë edhe Raunovac, kurse Tamnica quhet për shkak të germadhave të njij ndërtese n’afërsi të saj.”[5]
Këto variante të emërtimit nuk janë thjesht toponime, por pasqyrojnë dhe përdorimet e emërtimeve të ndryshme historike dhe përceptimin lokal për këtë vend.
Te kisha e ngritur në shekullin XIV-të, ekzistojnë ende muret e ruajtura deri në një metër lartësi.
Në një periudhë të pacaktuar kohore, kisha e shek. XIV, nuk është shfrytëzuar nga asnjë komunitet, pohon prof. i historisë tani në pension z. Zenjullah Selim Maliqi nga Kamenica[6], po ashtu edhe udhëpërshkruesi serb Todor Stankoviç në librin e tij Putne beleske po Staroj Srbiji 1871 – 1898 g, Beograd 1911, thekson se “në fshatin Hajnoc, ndodhet një kishë e lënë pas dore e quajtur Tamnica, çatia e së cilës është shembur.”[7]
Monumenti është ndërtuar nga gurë të latuar në formë katërkëndëshi dhe me tulla, dhe është dy nefe, ai verior dhe jugor, që përfundojnë me apsidën në skajin lindor. Mbi derën hyrëse ndodhet një nishe me një hark të dyfisht ndërsa mbi të sërish është vendosur një dritare në formë drejtkëndëshi me hark sipër e punuar nga tulla, gur dhe lidhur me llaç gëlqere. Hyrja në perëndim ka formë katërkëndëshe e punuar nga druri ndërsa anash korniza është e punuar me shtylla masive të gurit të gdhendur.
Kisha është e mbuluar me çati dyshe. Në brendësi vërehen fragmente afreskesh.
Ky lokacion, me ndërtime që datojnë nga periudha të ndryshme, paraqet një shembull karakteristik të integrimit të kohëve duke nisur nga periudha paleokristiane përkatësisht nga antikiteti i vonë për të vazhduar deri në ditët e sotme.
Në Manastirin ‘Qeli’ (Burg) në Hajnoc, në periudha të ndryshme janë realizuar punime restauruese dhe konservuese, si ato në vitet 1967/68, pastaj në vitin 1995, si dhe së fundi në vitin 2023. Në vitin 2023 Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), në bashkpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS), ka kryer punime restauruese dhe rehabilituese në monumentin ndihmës dhe në kullën e kambanës të lokalizuar në ‘Manastirin Qeli (Burg) në fshatin Hajnoc, Komuna Kamenicë.
[1] Mihailo Diniç, Iz Dubrovaçkog Arhiva, Beograd, 1957, fq. 39,42
[2] Skënder Gashi, Kërkime Onomastike-Historike për Minoritete të Shuara e Aktuale të Kosovës, Prishtinë, 2015, fq.
86.
[3] Milan Ivanoviç, Spomenici i Znamenja srpskog Naroda, Zaduzhbine Kosova; Prizren-Beograd, 1987, fq.390
[4] Intervistë me banorë të kësaj ane, (Arkiva e QRTK, Gjilan; Hetem Kosumi, profesor tani në pension, 2015),
(Zejnullah Selim Maliqi, prof. i histories në pension, Kamenicë, prill 2025).
[5] Marija Birtaseviç, Crkva Reçani kod Ajnovaca, Glasnik Muzeja Kosova i Metohija, Pristina 1958, fq. 219.
[6] Zejnullah Selim Maliqi, prof. i histories në pension, Kamenicë, prill 2025.
[7] Todor Stankoviç, Putne beleske po Staroj Srbiji 1871 – 1898 godine, Beograd 1911, fq.34.
