DYLON

Maloku: “Interesi” i shtetit “rimartoi” PDK-në e LDK-në

Avatar photo Redaksia

Njohësi i çështjeve politike, Fadil Maloku, ka thënë se “interesi” për shtetin ka realizuar “martesën” e PDK-së me LDK-në.

Pavarësisht kësaj, ai ka thënë se kjo rimartesë do t’i dëmtojë të dyja partitë në të ardhmen.

EkoHigjiena

“‘Martesa’ me PDK-në, në fakt, edhe herën e parë ishte bërë pa dëshirën dhe interesimin e anëtarësisë së anëtarëve të LDK-së, por ja që ‘interesi’ i shtetit dhe i vendit (do të thonë padyshim krerët e LDK-së) na shtyri të ‘rimartohemi’ edhe një herë me PDK-në! Për demokracinë (e padyshim edhe për PDK-në) e brishtë kosovare, realisht do të ishte e shëndetshme të qëndronte në opozitë. Në mënyrë që të përfitonte (pra të ritushohej) si subjekt edhe si ideologji!”, ka thënë Maloku në këtë intervistë për “Epokën e re”.

Sipas tij, ky koalicion duhet parë nga disa rrafshe. “Nëse e shikojmë nga rrafshi social dhe ai ekonomik, na mbanë shpresa se, meqë janë dy parti të mëdha, mundësitë e përmirësimit të gjendjes janë reale. Ndërkaq, nëse e shikojmë nga prizmi politik, kujtoj se ky koalicion do t’i ‘përpijë’ koncesionet e Brukselit! Pra, për mendimin tim, ky koalicion do të ballafaqohet me dilemën hamletiane: Të ndërtojmë shtet të fortë, me të gjitha mekanizmat dhe institucionet përcjellëse, apo ta forcojmë demokracinë?”, ka vlerësuar Maloku.

Ndërsa sa i përket rolit të opozitës, Maloku ka thënë se partitë opozitare tani e tutje, përveç petkut të nacionalizmit, duhet t’u kthehen edhe problemeve reale.

“Kujtoj se Vetëvendosja ka shanse reale ta marrë primatin e një opozite të ngjeshur (ani pse, ka disa minuse në publik me futje-daljen e saj në LAN!) dhe tipike demokratike, ngase thjesht në legjislaturën e kaluar ishte e hendikepuar me ‘hijen’ e LDK-së. AAK-ja ambiciet e veta tani duhet t’i kanalizojë kah e ardhmja, pra kah problemet reale të qytetarëve, nëse dëshiron të mbajë (apo edhe të rritë) elektoratin e vet…e probleme të tilla ka me bollëk! Vetëm se duhet mësuar dhe kuptuar ‘çelësin’ e artikulimit në publik, ngase kam shumë bindje se koha e lidershipave të ‘paqes’ dhe atyre të ‘luftës’ është duke perënduar!”, është shprehur Maloku./epoka e re/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.