Maliqi: Auditori i Përgjithshëm nuk ka dhënë asnjë vërejtje dhe rekomandim për Drejtorinë e Buxhetit
/2L ONLINE/ – Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Zijadin Maliqi, në konferencë me gazetarë, ka informuar në mënyrë precize për të hyrat dhe shpenzimet e parasë publike, nëpër kode të ndryshme buxhetore, sikur që ka njoftuar ata edhe për raportimet e rregullta javore dhe tremujore, por gjithashtu ka folur edhe për përgatitjen e planifikimit të buxhetit për vitin 2016, i cili është dërguar në Ministrinë e Financave në afatin ligjor.
Me këtë rast drejtori Maliqi, ka shkoqitur në pika të shkurtëra, organizimin buxhetor, të hyrat, shpenzimet, raportimet etj.
“Në këtë periudhë kohore prej nëntë muajsh, Drejtoria ka përgatitur raportin financiar detal sipas ligjit për vitin 2014, që është aprovuar në fillim të vitit nga Kuvendi i Komunës. Poashtu gjatë këtij viti janë përgatitur 39 raporte javore dhe 9 raporte mujore, kurse para Kuvendit kanë dalë tri raporte financiare tremujore. Poashtu në këtë periudhë kohore janë mbajtur edhe takime me qytetarë duke përfshirë edhe fshatra të ndryshme, për përgatitjen e buxhetit të vitit 2016, por përmes Kornizës Afatmesme Buxhetore, janë bërë edhe planifikime për periudhën 2016 – 2018, duke bërë edhe punë të shumta lidhur me buxhetin”, tha drejtori Maliqi.
Sa i përket shpenzimeve, edhe në këtë pikë drejtori i Financave Zijadin Maliqi, ka bërë të ditur aktivitetet në këtë kuadër.
“Për këtë periudhë kohore, janë zotuar 4017 lëndë, kurse janë çertifikuar dhe bërë shpenzime 3800 lëndë, të dikastereve të ndryshme buxhetore brenda Komunës së Gjilanit. Ndërsa sa i përket arkivimit dhe protokolimit të lëndëve që lidhen me drejtorinë numri i tyre është 19 mijë 716 lëndë”, tha drejtori Maliqi, duke potencuar edhe angazhimin e stafit të tij për rexhistrimin e Aseteve Komunale.
Në sektorin e Tatimit në Pronë, që është pjesë e kësaj Drejtorie nga ku një pjesë shumë e madhe e të hyrave vetanake gjenerohen, Maliqi tha se gjendja është e njëjtë sa i përket planifikimit dhe realizimit me vitin e kaluar.
“Për nëntë muaj të këtij viti, sektori i Tatimit në Pronë ka shpërndarë mbi 31 mijë fatura të tatimit në pronë dhe vlera e tyre është 1,519,117.17 euro, sikur që janë lëshuar mbi 19 mijë vërtetime të ndryshme nga ky sektor. Të hyrat e planifikuara për vitin 2015 janë 1,360,953.00 euro, kurse për periudhën prej nëntë muaj janë inkasuar 935,738.73 euro apo 68.75% e të hyrave të planifikuara. Me hyrjen në fuqi të ligjit mbi faljen e borxheve në korrik të këtij viti i njejti ende nuk është duke u zbatuar ende nga përgjegjësia e Departamentit të Tatimit në Pronë. Nga llogaritjet jo – zyrtare të sektorit të Tatimit në Pronë, ka dal se prej mbi 7 milionë eurove që kanë qytetarët ndaj Komunës së Gjilanit, rreth 5 milionë euro sipas këtij ligji mund të falen, edhe pse ende nuk është precizuar se me cilën formulë të veprojmë ne nëpër Komuna”, ka thënë drejtori Maliqi.
Krejt në fund, Drejtori për Buxhet dhe Financa ka theksuar se Auditori i Përgjithshëm nuk ka dhënë asnjë vërejtje dhe rekomandim për këtë Drejtori, duke potencuar se gjithçka është në rregull. /2L ONLINE/
