Malikie Ymeri Hoxha (PDK): E papranueshme neglizhenca institucionale, si për bursat e studentëve si për investimet në Cërnicë
Malikie Ymeri Hoxha, anëtare e Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në seancën e sotme të këtij organi ka ngritur dy shqetësimet e saja që kanë të bëjnë me vonesat e bursave të studentëve dhe për gjendjen e trotuareve dhe mungesën e ujësjellësit në fshatin Cernicë.
Ajo tha se banorët e fshatit Cerrnicë po përballen me një neglizhencë të papranueshme institucionale.
“Punimet në trotuare kanë filluar tash e gati dy vite dhe ende nuk kanë përfunduar. Rrugët dhe trotuaret janë të dëmtuara, të pasigurta dhe vështirë të kalueshme, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit”, ka thënë ajo.
Asamblistja e PDK-së po ashtu tha se, sa i përket ujësjellësit, në këtë fshat ka ekzistuar një rrjet pothuajse i kompletuar me rreth 250 shtëpi të kyçura, i cili me një investim prej rreth 20,000 euro do të mund të funksionalizohej.
“Por çfarë ndodhi? U vendos të ndërtohet një rrjet i ri, dhe sot as ai nuk është funksional. Banorët e Cerrnicës vazhdojnë të jenë pa ujë. Kjo situatë nuk është vetëm neglizhencë, është dështim. Kërkohen përgjigje të qarta: Pse po zvarriten punimet prej dy vitesh? Pse nuk u funksionalizua rrjeti ekzistues? Kush vendosi për ndërtimin e rrjetit të ri? Pse as rrjeti i ri nuk funksionon? Kush do të mbajë përgjegjësi? Kur do të përfundojnë punimet dhe do të ketë ujë për qytetarët”, ka shtuar tutje
Malikie Ymeri Hoxha shtoi tutje se banorët e Cernicës meritojnë kushte dinjitoze jetese, jo premtime dhe neglizhencë.
Ajo poashtu ngriti shqetësime edhe sa i përket vonesave në ndarjen e bursave komunale për studentët po kthehen në një problem të përsëritur dhe shqetësues.
“Në shtator të vitit 2025, shumë studentë nga komuna jonë kanë aplikuar për bursa komunale. Ata kanë dorëzuar dokumentet, kanë plotësuar kriteret dhe kanë pritur me shpresë. Megjithatë, tash që jemi në vitin 2026, ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Kjo nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë. Edhe vitin e kaluar, studentët kanë aplikuar në tetor, ndërsa bursat janë ndarë vetëm në prill”, ka thënë ajo.
Asambleistja e PDK-së tha se në prill, shumica e studentëve tashmë i kanë përfunduar pothuajse të gjitha obligimet, kanë paguar libra, transport, qira dhe shpenzime të tjera me shumë vështirësi. Në këtë mënyrë, bursa e humb qëllimin e saj kryesor, mbështetjen në kohë.
“Kjo situatë është veçanërisht e rëndë për studentët që vijnë nga familje me gjendje të vështirë ekonomike. Si institucione, kemi përgjegjësi morale dhe ligjore ndaj tyre. Nuk mund t’i ftojmë të aplikojnë, t’u japim shpresë dhe më pas t’i lëmë në pritje për muaj të tërë. Prandaj kërkohen përgjigje të qarta? Pse po përsëritet kjo vonesë? Ku po ngec procesi? Kur konkretisht do të realizohen pagesat për aplikuesit e vitit 2025?”, tha ajo.
Malikie Ymeri Hoxha, anëtare e Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e PDK-së, në fund tha se studentët meritojnë transparencë, respekt dhe trajtim dinjitoz. Kjo nuk është vetëm një çështje politike, por një kërkesë njerëzore dhe institucionale. /2LONLINE/
