Makthi – Beqir Musliu
Nga: Kaltrinë Berisha
Vepra letrare Makthi nga autor, Beqir Musliu, ndonëse e konsideruar si roman, është strukturuar nga: pjesa hyrëse – Pastorala e Hil Kodrës, nga 12 kapituj, pjesa Monologu i Hil Kodrës dhe përfundon me Ditarin e Engjëllit të Hil Kodrës. Siç paralajmëron titulli, Makthi shënon temën e romanit dhe motivin psikologjik me anë të së cilit bëhet formimi i protagonistit , Hil Kodrës, pra i individit duke u rritur dhe duke u zhvilluar në një vend ku mbizotëron Makthi dhe me gjithçka tjetër që sjell ai.
“ Hil Kodrës nuk i mbetet asgjë tjetër pos ëndrrës së preftuar se gjithçka është zënkë e ëndrrës; apo – marimangë e lëshuar kudo – në këtë hapësi: njeriu është krimb që ecën nëpër këtë marimangë për të dalë nga vetja apo për të rënë në ankthin që e godet mu në gjysmërrugë të ëndrrës apo preludiumit të saj, të cilin nuk ia di; por – ajo si magji flet në gjuhë të secilit, në emër të tokës së premtuar të Krishit apo në gurin e Mekës së Muhamedit.”[1]
Pjesa hyrëse e veprës e largon barrën e mëdyshjeve nëse Hil Kodra është alter ego e Beqir Musliut, dhe se në një mënyrë a tjetër ngjarja e rrëfyer mund të ngjasojë me ngjarjet historike të qytetit të Gjilanit. Pra në pjesën hyrëse veçse përmendet ëndrra si koncept imagjinar i tërësishëm, por duke mos e përjashtuar mundësinë që brenda saj të ketë diçka reale, qoftë ndonjë personazh apo ndonjë ngjarje historike. Ëndrra si shenjë semiologjike ndërlidhet në kontekstin letrar, që letërsia për dallim nga historia e paraqet të vërtetën e mundshme, dhe jo atë që thuhet të jetë shfaqur përmes historisë, prandaj nuk mund ta quajmë një roman tipik biografik. Edhe pse protagonisti mund t’i barttë idetë e autorit, konkretizimi si ëndërr e vë më shumë në pah një analizë psikanalitike të personazhit se sa një studim me qasje pozitiviste, ani se si topos del të jetë Gjilani me rrethinë, ngase Makthi është një gjendje pasive që mbulon gjithë Kosovën si vend, pa përjashtime krahinore, madje përfshin vende të shumta të botës, me trazira, vuajte, përgjime, luftëra e vrasje. Përmes personazhit të Hil Kodrës bëhet një lloj mishërimi me popullin shqiptar, ku secili shqiptar mund të ndodhej në vend të Hil Kodrës, dhe Kodrisha, vendi i konkretizuar në të cilin zhvillohet ngjarja, simbolizon vendin tonë, në të cilin kanë ndodhur këto peripeci, problemet e popullit shqiptar nga gjeneza e që nuk kanë mbarim, duke u vënë në pah veset tona si popull, dobësitë, mburrjen dhe pengesat të cilat na ndalin. Për të vazhduar më tej, me theks të veçantë te besëtytnitë, disa prej të cilave janë të mira, konkretisht ato që ndërlidhen me historinë, kurse të tjerat dalin në formën e mburrjeve të panevojshme duke e ndalur zhvillimin tonë si qenie intelektuale dhe në hap me botën.
Një prej motiveve që trajtohet gjerë e gjatë në vepër, del të jetë religjioni, që nga paganizmi e deri te gërshtimi i katolicizmit me islamizmit, si një luftë e brendshme që e godet unin e individit. Tashmë individi nuk ndodhet në luftë vetëm me të keqen përmes armikut territorial, por edhe me atë kulturor që duket se e ka shartuar nje trung të lashtë, dhe degëzimet e reja janë të brishta dhe të papërputhshme me rrënjët. Thënë ndryshe religjioni del si besëtytni e trashëguar, ku arsyen, apo kureshtjen e shndërron në besim të verbër dhe të pakontestueshëm. Protagonisti, Hil Kodra ndjek konceptin Niçean se Zoti ka vdekë, ngase unë e kam vrarë atë. Dhe pas aktit të kryer shikimi i tij ndaj qiellit ishte bërë më i kthjellët ngase ishin zhveshur gjitha mitet mbi madhërimin e Zotit. Dhe akti i të besuarit kuptohet se kishte ardhur si një traditë e trashëguar brez pas brezi dhe duke u marrë si një akt i paktontestueshëm, pa të drejtën e dyshimit më të vogël. Me vdekjen e Zotit të personazhit kryesor të veprës, bëhet një lloj filtrimi i traditave autentike shqiptare dhe të atyre që janë veshur dhunshëm nga pushtuesit. Andaj personazhi i Hil Kodrës është një prej personazheve më të veçanta të letërsisë shqipe i cili nuk ndikohet nga fatkeqësitë e tij personale për t’u mjekuar me doza të ateizmit. Nuk i nevojitet vdekja e personit më të dashur për t’ju kundërvënë Zotit si te poezia Vaje e Cajupit, apo te letërsitë e huaja si Konti Drakulla i Bram Stokerit, as nuk i nevojitet si shkas varfëria e popullit si te Migjeni. Përmes narratorit heterodiegjetik, personazhi i Hil Kodrës del të jetë njohës i mirë i historisë, teologjisë dhe letërsisë. Të qenurit ndryshe duke i kundërshtuar idetë e imponuara nga brenda dhe nga jashtë vie si pasojë e njohjes së mirë të dokeve dhe zakoneve tona, si dhe të kulturave të huaja nëpërmjet librave e historisë. Motivi i gërshetimit të së kaluarës me të tashmen hipotetike, me figura si kulla, toka, ardhësit, e zeza, gryka e pushka, në shikim të parë lexuesit mund t’i krijohet përshtypja se stili i të shkruarit i afrohet atij të Anton Pashkut, por që pas një leximi më të vëmendshëm, shohim se te Pashku gjuha është e ndërtuar prej shumë figurave dhe që janë mjaft të thella për t’u zbërthyer. Kurse, te motivet e luftës, dhe pasojat që lë ajo në shpirtin njerëzor, tentimet për një shërim të mundshëm dhe përshtatjen me masën na kujtojnë edhe tregimet e Hivzi Sulejmanit, veçanërisht me shprehjen gjithçka është në rregull vetëm së prapthi, duket se ishte një sfidë e viteve të 70-80, por që në qasjen psikologjike dhe botëformimin e personazheve këto motive dallojnë nga proza e njëri-tjetrit.
Si në pjesën hyrëse ashtu edhe në fund të romanit ndërlidhet Makthi me ëndrrën dhe realitetin, ku narratorit shpreh një sheqtësim të madh, i trembur nga një situatë e rënduar e cila ia zë frymën dhe lë në pikëpyetje nëse raliteti i ngjason makthit, apo ëndrra i është shndërruar në makth. /2LONLINE/
[1] Beqir Musliu: Makthi, Konica, 2004, fq. 11.
