Qendra për Studime Universitare mirëpriti komandantin e ri të saj, njëherit komandanten e parë femër të QSU-së Major Mimoza Budeci.
Në vitin 2012 Majore Mimoza Budeci diplomoi nga shkollimi katër vjeçar ushtarak nga QSU, si oficer me gradën Nëntoger. Në të njëjtin vit, ajo përfundoi studimet bachelor në Universitetin Amerikan në Kosovë, si pjesë e plan-programit të studimeve për oficer në QSU, në drejtimin Menaxhment dhe Politika Publike.
Në vitin 2012-2013 Majore Budeci fitoi mundësinë për të vazhduar shkollimin në Akademinë Mbretërore Ushtarake Sandhurst në Britani të Madhe. Gjatë studimeve të saj në Akademinë Sandhurst, ajo mori disa çmime, prej të cilave edhe çmimin “Brunei”, i cili u jepet studentëve me performancë të dalluar gjatë studimeve në fushën e Luftërave Moderne. Performanca e saj gjithashtu i mundësoi asaj vazhdimin e studimeve të nivelit master në fushën e Luftërave Moderne në Londër. Pas përfundimit të studimeve master, Majore Budeci përfundoi trajnime tjera të karrierës në SHBA ku edhe ka çmime të fituara për performancë të dalluar.
Pas përfundimit të trajnimeve ushtarake, Majore Budeci filloi studimet e saj të doktoratës në fushën e Mbrojtjes Ushtarake në universitetin publik në Slloveni. Ajo është autore e librit “Shpërbërja e Jugosllavisë (1991-1992)” dhe autore e disa artikujve shkencorë. Artikulli i fundit i saj është publikuar në revistën universitare “Teoria dhe Praktika”, artikull ky që shtjellon ndikimin e gjinisë dhe diversitetit kulturor dhe shoqëror në të kuptuarit e profesionalizmit ushtarak.
Gjatë karrierës së saj në Forcën e Sigurisë së Kosovës, Majore Budeci ka shërbyer në detyra dhe pozita të ndryshme si:
– Komandante Togu në Regjimentin e Parë, Brigada e Reagimit të Shpejtë, Gjilan;
– Oficere e Personelit në Regjimentin e Parë, Brigada e Reagimit të Shpejtë, Gjilan;
– Oficere Ndërlidhëse me Zyrën e SHBA-ve për Bashkëpunim në Mbrojtje (ODC);
– Komandante e Kompanisë A në Regjimentin e Parë, Brigada e Reagimit të Shpejtë, Gjilan;
– Oficere për Arsimim dhe Menaxhimin e Karrierës në Shtabin e Përgjithshëm; Prishtinë;
– Shefe e Kabinetit të Shefit të Stafit në Shtabin e Përgjithshëm, Prishtinë;
– Komandante e Qendrës për Studime Universitare, Akademia e Mbrojtjes, Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes.
Si udhëheqëse e re e Qendrës për Studime Universitare, Major Mimoza Budeci do të sjellë një kombinim të përvojës së saj të pasur ushtarake dhe akademike për të frymëzuar dhe udhëhequr oficerët e rinj. Me një qasje të përkushtuar dhe të frymëzuar, Majore Budeci do të ndihmojë në ndërtimin e një kulture të arsimimit të vazhdueshëm dhe përmirësimit të aftësive profesionale tek kadet oficerët e rinj, duke i bërë ata të gatshëm për sfidat e përbashkëta të së tashmes dhe së ardhmes. /2LONLINE/