Xhudistja pejane, Majlinda Kelmendi ka arritur një tjetër sukses të madh në karrierën e saj. Kampionia e botës, ka fituar medaljen e artë në Kampionatin Evropian që po mbahet në Kazan të Rusisë.
Krenaria e sportit tonë, ka fituar në finale kundër francezes, Priscilla Gneto, me Ippon, duke iu gëzuar medaljes së artë dhe duke bërë krenar gjithë popullin shqiptar. Me këtë sukses, Majlinda bëri që të valvitet flamuri dhe intonohet himni i Kosovës në shtetin i cili vazhdimisht ka qenë kundërshtar i pavarësisë së vendit tonë.
Xhudistja pejane tregoi performancë të shkëlqyer në këtë eveniment te madh sportiv, duke dëshmuar edhe një herë se është numër një në këtë sport.
Majlinda xhiron e parë e kaloi pa luftë, në të dytën e mundi ukrainasen Oleksandra Starkova, në xhiron e tretë xhudistja jonë ishte më e mirë se izraelitja Roni Schëartz, ndërkaq në gjysmëfinale mundi francezen Euranie Annabelle.
http://www.rtklive.com/?id=4&r=67913
Ministri i Kulturës Kujtim Shala ka uruar xhudisten Majlinda Kelmendi
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala ka uruar xhudisten Majlinda Kelmendi për fitoren e medaljes së artë dhe Nora Gjakovën për fitoren e medaljes së bronztë në Kampionatin Evropian.
Me këtë rast, ministri Shala, uron edhe Përfaqësuesen e Kosovës në xhudo që po qëndrojnë në Rusi, drejtuesit e Federatës së Xhudos, sportdashësit dhe tërë qytetarët e Kosovës, ngase suksesi i xhudisteve tona shënon një sukses edhe të vendit tonë në arenën ndërkombëtare.
“Fitoret e Majlindës dhe Norës në Rusi përbëjnë një lajm historik dhe të jashtëzakonshëm jo vetëm për sportin por në përgjithësi për shtetin e Kosovës”, citohet të ketë thënë ministri Shala.
“Suksesi i Majlindës dhe Norës në Kampionatin Evropian na bën krenar të gjithëve në Kosovë, dhe është një dëshmi se Kosova ka sportistë cilësorë, ndaj pjesëmarrja me sportistë sa më cilësorë në garat ndërkombëtare, mbetet prioritet i yni”, ka thënë tutje ai.
Ministri Shala bashkë me stafin e MRKS-së po punojnë intensivisht në përkrahje të sportit në përgjithësi, në krijimin e kushteve dhe infrastrukturës së përgjithshme, për avancimin dhe afirmimin e sportit dhe në ngritjen e cilësisë së tij.